Ngjarje

Gjetjet e KLSH: Mungesa e çerdheve në fshatra, lë gratë të papuna. Programet e qeverisë joeficiente

Nga Gazeta ‘SI’ – Një audit i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për fuqizimin e grave në zonat rurale, gjen se ato mbeten jashtë tregut të punës për shkak të programeve joeficiente shtetërore.

KLSH provon se mungesa e çerdheve dhe kopshteve në të gjitha njësitë administrative rurale, i mban gratë nëpër këto zona jashtë tregut të punës, pasi duhet të kujdesen për të vegjlit e tyre.

Auditi “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave në zonat rurale, përmes përfshirjes në tregun e punës” thekson se Agjencia Kombëtare e Punësimit, AKPA, krijon programe të përgjithshme, nuk kanë në fokus gratë dhe në veçanti gratë në zonat rurale.

“Programet e nxitjes së punësimit të zbatuara nga AKPA janë të përgjithshme, Këto programe parashikohet të zbatohen në të gjithë vendin, por nuk evidentohet se sa janë të zbatueshme në zonat rurale. Indikatorët e përdorur, nuk ndahen në gra në fshat apo gra në qytet, por të dhënat e referuara dhe analizimi i tyre është për gratë në përgjithësi”, shkruan KLSH.

Në disa njësi të vetëqeverisjes vendore nuk sigurohet transport publik përveçse në njësitë administrative urbane. Për rrjedhojë, nuk sigurohen kushte lehtësimi, për të afruar gratë dhe vajzat sa më afër tregut të punës.

Shifrat e zbuluara nga KLSH tregojnë se nga 116 njësi administrative të analizuara në 13 bashki, vetëm, 18 kanë çerdhe dhe 108 kopshte.

KLSH rekomandon bashkitë dhe AKPA që të bashkëpunojnë për të identifikuar problemet në zonat rurale dhe të hartojnë plane investimesh, të mundësojnë hapjen e kurseve profesionale për gratë e vajzat në zonat rurale

Puna e papaguar e grave në Shqipëri

Komiteti për eleminimin dhe diskriminim ndaj grave, CEDAË, pranë OKB-së, i ka dërguar Shqipërisë raportin për problemet në këtë drejtim, ku ndër të tjera kërkohej njohja e punës së papaguar për gratë shqiptare.

Kujdesi familjar dhe shëndetëror, njihet si “punë e papaguar”, që i konsumon grave në Shqipëri shumë kohë dhe nuk fitojnë asgjë në këmbim.

Shifrat e Bankës Botërore e rendisin Shqipërinë ndër vendet me normën më të lartë të punës së papaguar për gratë.

Sipas raportit, një grua në Shqipëri punon pa pagesë mesatarisht 5.2 orë në ditë, krahasuar me burrat, që punojnë vetëm 0.8 orë.

Organizata Botërore e Punës, ILO, llogarit se puna e papaguar e grave në botë do t’i sillte ekonomisë 11 trilionë dollarë në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë