Njerëzit e mëdhenj bëjnë gjeste të mëdha. Rafa Nadal, numri 1 i botës në tenis, ka bërë një gjest të madh në Maiorka, ku ka lindur dhe jeton. Vendi është përfshirë nga përmbytjet e tmerrshme, që kanë shkaktuar edhe dhjetëra të vdekur dhe tenisti i madh spanjoll ka veshur çizmet dhe ka dalë në rrugë vullnetarisht për të pastruar baltën.
Kolegët e tij janë të impenjuar në turneun e Shangait në Kinë, ku në lojë janë shumë para dhe mbi të gjitha shumë pikë, që vlejnë për klasifikimin e përgjithshëm. Nadal nuk shkoi në Kinë për shkak të një problemi në gju, por fati ndoshta e deshi që në ditë kaq të vështira të ishte në vendin e tij. Palma di Maiorka është mbuluar nga balta nga përmbytjet-rrufe në Baleari. Shifra e viktimave pritet të rritet, për fat të keq, pasi rezultojnë shumë persona të zhdukur.
Rafael Nadal është shumë i lidhur me vendin e tij dhe këtë e ka treguar gjithmonë. Tenisti i famshëm është fotografuar nga një fans i tij, teksa shfaqet duke ndihmuar një mekanik në San Lorenc. Fotoja ka përfunduar në rrjetet sociale dhe Rafa menjëherë ka trefishuar ndjekësit kudo në botë. Është vërtet e rrallë në kohët e sotme të shohësh një sportist të nivelit botëror, numrin 1 në tenis, që të bëhet pis, të veshë çizmet dhe të pastrojë një ofiçinë të mbushur me baltë. Me një postim në Instagram, Nadal kishte shprehur mbështetjen e tij për popullin e Maiorkës, duke shkruar: “Një dritë e trishtë për Maiorkën, ngushëllimet e mia të përzemërta janë për familjet e viktimave dhe të të plagosurve nga përmbytjet në San Lorenc. Strukturat tona të “Rafa Nadal Academy” janë në dispozicion të atyre që kanë nevojë për akomodim”.
Nga fjalët, te veprat. Akademia e tij në Manacor ka strehuar aktualisht rreth 50 persona. Duhet thënë se shpesh sportistët e nivelit të lartë janë treguar shumë të ndjeshëm ndaj vendeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore. Për të mbetur te tenisi, një tjetër shembull është ai i Novak Gjokoviç, i cili dhuroi gjithë fitimet e tij nga turneu i Romës për familjet e viktimave nga përmbytjet në Serbi. Disa muaj më parë bëri bujë lajmi për basketbollistin spanjoll Pau Gasol, i cili doli vullnetar me anijet e shpëtimit të emigrantëve në Mesdhe.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.