Politike

Gjermania vendos më 26 shtator: Negociata me Shqipërinë por me 9 kushte

Parlamenti i Gjermanisë duket se do të votojë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në në datën 26 shtator, por me kushte.

Propozimi për caktimin e kësaj date për të diskutuar për Shqipërinë u bë nga dy grupet më të mëdha parlamentare CDU dhe SPD. Kancelarja Angela Merket bëri me dije pas takimit të fundit me kryeministrin Rama se vendi i saj do të vendosë në fund të këtij muaji për nisjen e bisedimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Eksperti gjerman Bodo Webër është shprehur në një intervistë të dhënë së fundmi se ndryshe nga qershori, Gjermania dhe Franca kanë arritur tanimë një marrëveshje kur bie fjala për Shqipërinë. Bashkëpunëtori i Lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit në Berlin, thotë se presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Paris ishte gati të jepte dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut nëse Gjermania nuk do të kishte insistuar që duhet të hapeshin edhe negociatat me Shqipërinë. Shkak për këtë mosmarrëveshje, duket të jetë bërë kriz politike në vendin tonë.

“Ne patëm një zhvillim shumë të pafat me Maqedoninë, e cila u bë viktime e skepticizmit ndaj Shqipërisë. Në qershor të vitit të kaluar kishte një përplasje midis Berlinit dhe Parisit, me Francën që bllokoi procesin pasi qeveria e Berlinit këmbënguli të jepte dritën jeshile për të dyja vendet në të njëjtën kohë, pavarësisht krizës politike në Shqipëri bëri që Maqedonia e Veriut të bjerë viktimë e këtyre rrethanave. Paris do të ishte gati të jepte dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut nëse nuk do të ishte insistimi i Gjermanisë për mos ta shkëputur nga Shqipëria”, thotë ai për “European Western Balkans.

Sipas Weber, Gjermania dhe Franca kanë gjetur tanimë një zgjidhje të mesme që të kemi dy vendet të “kalojnë” në tetor. Analisti bën të ditur se Merkel dhe Macron kanë arritur një marrëveshje për një shkëputje të pjesshme, sipas të cilës Shqipërisë do t’i vendosen disa kushte.

“Po shkojmë drejt një marrëveshje brenda koalicionit qeverisës. Nuk mund të them me siguri nëse ka tashmë një marrëveshje zyrtare Gjermani-Francë sepse ka pasur bisedime midis Parisit dhe Berlinit. Zgjidhja do të ketë një shkëputje të pjesshme, nëse mund ta përdor atë term, në të cilën Maqedonia Veriore do të marrë një dritë jeshile të pakushtëzuar dhe Shqipërinë hapjen e negociatave me kushte”, thotë Weber.

Bodo Weber, Gazeta Si, 18 shtator 2019

“Një sërë kushtesh do të vendosen përpara fillimit të negociatave të pranimit me Shqipërinë : kjo është zgjidhja e mesme ku të dy partitë në pushtet dhe Berlini mund të gjejnë kompromis. Dhe supozoj se Parisi këtë herë do të jetë në gjendje të bjerë dakord. Sepse, le të jemi të qartë, situata në Maqedoninë e Veriut është më e qëndrueshme, por pas Marrëveshjes së Prespës dhe pas referendumit, nëse nuk hapen negociatat, BE-në e pret një sfidë e re në rajon”, thotë ai.

Por cilat janë kushtet për Shqipërinë?

Sipas burimeve të DW në qarqet e grupit parlamentar CDU/CSU, bëhet fjalë pak a shumë për nëntë pika:

  • funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
  • miratimi i reformës zgjedhore;
  • implementimi i reformës zgjedhore;
  • ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
  • ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
  • vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
  • rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve "peshq të mëdhenj";
  • përparime në reformën e administratës publike;
  • sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Emmanuel Macron dhe kancelarja Angela Merkel, Gazeta Si, 18 shtator 201

Nga ana tjetër, lajmi i madh këtë javë ishte i nominuari i Komisionit të ri Evropian për Komisionerin e Zgjerimi,  hungarezi László Trócsányi. Por për Weber, politika e Zgjerimit të Komisionit të ri nuk do të ndryshojë nga ajo e Juncker pavarësisht zhvillimeve të fundit.

“Le të përpiqemi të gjykojmë pa marrë parasysh thashethemet që po qarkullonin gjatë gjashtë muajve të fundit. Zgjerimi është ende një perspektive reale. Ne kemi pasur raporte përgjatë gjashtë muajve të fundit se nuk do të ketë më as një Komisioner për Zgjerimin. Pra, kjo është pozitive. Ne gjithashtu dëgjuam emra të ndryshëm dhe ai që përmendet shpesh ditët e fundit para publikimit të portofoleve ishte emri i kandidates kroate, që do të ishte një kërcënim i vërtetë për zgjerimin kur bëhet fjalë për Bosnjë dhe Hercegovinën. Pra, ky, përsëri, është një lajm i mirë. Ajo që nuk më pëlqen është se ne kemi përfunduar me kandidatin e zotit Orban, me ish-Ministrin e Drejtësisë që ishte në krye të këtyre ligjeve anti-evropiane që ishin në thelb të Hungarisë gjatë katër viteve të fundit. Duke marrë parasysh se, që nga viti 2010, qeveria hungareze ka thyer kryesisht të gjitha rregullat e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit, ky është një emërim mjaft problematik. Për këtë arsye, unë kam besim se Parlamenti Evropian nuk do të konfirmojë kandidatin e zotit Orban”, thotë Ëeber. Mendoj se pas këtij nominimi fshihet vetëm spekulime dhe, për mua, duket si një lëvizje për të joshur audiencën hungareze. Unë nuk e besoj se Orban pret vërtetë që kandidati i tij të miratohet nga Parlamenti Europian. Nëse shohim se skenari bëhet realitet, atëherë do t’i tregonte audiencës vendase se BE është kundër Hungarisë. Tani, pyetja është nëse ndërhyrja dhe ndihma e Parlamentit Evropian do ta bëjë Orban të emërojë një kandidat të ri për Portofolin e Zgjerimit, por as kjo nuk do të zgjidhë problemin tonë. Të lësh Zgjerimin në duart e qeverisë së Orbanit është problemi në vetvete. Ndoshta Parlamenti Evropian mund të bëjë presion për një riorganizim të portofoleve”,thekson eksperti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë