Bota

Gjermania po zien, çfarë pritet nga vizita e Scholz në Kiev dhe pastaj në Moskë  

BERLIN – Edhe përpara se Uashingtoni të paralajmëronte se një pushtim rus i Ukrainës mund të ishte i pashmangshëm, kancelari gjerman Olaf Scholz po përballej me një mision të dyfishtë të frikshëm në Kiev dhe Moskë këtë javë.

Në Ukrainë të hënën, detyra e tij kryesore është të qetësojë liderët kombëtarë të zemëruar me refuzimin e Berlinit për ta furnizuar me armë dhe të mbajë një linjë më të qartë ndaj sanksioneve kundër Rusisë.

Por kjo ndërmarrje delikate diplomatike zbehet nga detyra e tij të nesërmen në Moskë, veçanërisht pas frikës së Uashingtonit shoqëruar me vendimin e shumë qeverive perëndimore për t’u thënë qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina.

Nëse frika e Uashingtonit është e bazuar, Scholz mund të jetë lideri i fundit perëndimor që do të ketë mundësinë, personalisht, të bindë presidentin rus Vladimir Putin të mos nisë një sulm të ri ndaj fqinjit të tij perëndimor.

Një vizitë e ngjashme e presidentit francez Emmanuel Macron javën e kaluar duket se ka bërë pak për të bindur Putinin për të zbutur krizën, e shkaktuar nga lideri rus që grumbulloi më shumë se 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës.

Duke folur përpara udhëtimit të tij të dielën, Scholz tha se ekzistonte “një kërcënim shumë, shumë serioz për paqen në Evropë”.

Zyrtarët gjermanë janë përpjekur të ulin pritshmëritë që Scholz, (i cili është në detyrë për pak më shumë se dy muaj), mund të arrijë çdo lloj marrëveshjeje me Putinin dhe thanë se qëllimi kryesor është të mbajë Rusinë të angazhuar në bisedimet ndërkombëtare të paqes.

Por vetëm fakti që Scholz po hyn në arenë mund të mjaftojë për të fituar disa pikë me aleatët jashtë vendit dhe kritikët brenda vendit, të cilët u alarmuan nga heshtja e tij dhe mesazhet e ngatërruara në javët e para të kësaj krize.

“Është e rëndësishme që Scholz të ndërhyjë dukshëm në këtë kuadër negociues evropian dhe ndërkombëtar,” tha Stefan Meister, një ekspert për Rusinë dhe Ukrainën në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili ka këshilluar kancelarin përpara vizitës.

“Ai është kritikuar prej kohësh se në thelb nuk ka thënë asgjë – ose nuk është i kuptueshëm qartë kur thotë diçka – dhe se nuk ka luajtur një rol qendror në këtë proces siç bëri (ish-kancelarja) Angela Merkel.”

Një javë pasi Scholz u përpoq të riparonte dëmin e reputacionit të Gjermanisë në Uashington lidhur me krizën, vizitat në Kiev dhe Moskë përfaqësojnë një përpjekje të mëtejshme të kancelarit socialdemokrat për të afirmuar veten në skenën ndërkombëtare.

Politikëbërësit gjermanë brenda qeverisë së tij trepartiake dhe në radhët e opozitës thonë se roli i shtuar nuk vjen aq  shpejt.

“Është thelbësore që Gjermania të përfshihet drejtpërdrejt në bisedimet me Rusinë dhe të mos qëndrojë mënjanë,” tha Bijan Djir-Sarai, zëdhënës i politikës së jashtme të Partisë Demokrate të Lirë, një nga partnerët e koalicionit të Scholz.

Në Kiev, tha Djir-Sarai, kancelari duhet të bëjë të qartë se “ne qëndrojmë në anën e Ukrainës” dhe se paprekshmëria e integritetit territorial të Ukrainës është “një përparësi kryesore”.

Në të dyja pikat, Scholz ka disa detyra bindëse për të bërë. Refuzimi i Berlinit për të ofruar armë mbrojtëse në Kiev, lëvizjet e tij për të bllokuar aleatët që të dërgojnë armë gjithashtu, dhe hezitimi i tij për të deklaruar qartë se gazsjellësi Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani do të goditet nga sanksionet nëse Moska sulmon Ukrainën, kanë shkaktuar zhgënjim të madh mes politikanëve ukrainas.

Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy  anuloi madje një takim me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Scholz do të përpiqet të japë një mesazh të ekulibruar, duke e bërë të qartë se politika e eksportit të armëve nuk do të ndryshojë, duke theksuar gjithashtu se Kievi merr mbështetje të konsiderueshme nga Gjermania në forma të tjera.

Berlini e justifikon vendimin e tij për të mos dërguar armë në Ukrainë me përgjegjësitë historike për mizoritë e Luftës së Dytë Botërore çka nënkupton që Gjermania nuk duhet të dërgojë armë në zonat e konfliktit. 

Kritikët kanë vënë në dukje mospërputhjet historike dhe të sotme në atë argument, por çdo ndryshim i madh në qëndrimin e Gjermanisë do të shkaktonte një luftë brenda partisë dhe koalicionit të Scholz.

Megjithatë, Gjermania është donatori më i madh i Ukrainës  krahas Shteteve të Bashkuara, duke kontribuar me 1.83 miliardë euro që nga viti 2014. Argumenti gjerman është se një ndihmë e tillë ekonomike është veçanërisht jetike në sfondin aktual.

Konflikti i vazhdueshëm midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase në Ukrainën lindore do të thotë se vendi “në thelb tashmë është në një gjendje lufte dhe tani është gjithashtu mjaft i kërcënuar nga lufta”, tha Meister. “Asnjë investitor nuk do të hyjë atje tani.”

Një zyrtar gjerman tha se Berlini kishte hartuar plane për ndihmë të mëtejshme financiare dhe ekonomike për Ukrainën, e cila “do të jetë një temë” në diskutimet midis Scholz dhe Zelenskiy.

Scholz ka rritur angazhimin e tij diplomatik dhe mesazhet publike ditët e fundit. Ai priti liderët nga treshja baltike e Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë në Berlin të enjten për t’i siguruar ata se ai nuk do ta vërë në rrezik unitetin e BE-së gjatë udhëtimeve të tij në Kiev dhe Moskë.

“Ne shohim një ndryshim për mirë në aktivitetin e kancelarit. Unë besoj se do ta shohim gjithashtu atë angazhim në Ukrainë, “tha Jürgen Hardt, zëdhënësi i politikës së jashtme të opozitës së Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) të Gjermanisë.

Një shenjë e mundshme se sa e paqëndrueshme është situata e sigurisë në Ukrainë, tregon fakti se Scholz do të kthehet në Berlin të hënën mbrëma nga Kievi dhe më pas do të shkojë në Moskë prej andej të nesërmen, në vend të qëndrimit një natë në kryeqytetin ukrainas. 

Një zëdhënës i qeverisë nuk pranoi të komentojë nëse siguria ishin arsyeja e dy udhëtimeve të veçanta.

Në Moskë, Scholz do të përpiqet të ndjekë atë që ai e quajti një “strategji të dyfishtë” – një qasje përgjithësisht në përputhje me atë të qeverive të tjera të BE.

“Agresioni i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës do të kishte pasoja shumë të rënda politike, ekonomike dhe strategjike”, tha Scholz. “Në të njëjtën kohë, ne jemi të gatshëm për bisedime serioze me Rusinë, për një dialog për çështjet e sigurisë evropiane.

Berlini ka lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Moskën. Gjermania është partneri i dytë më i madh tregtar i Rusisë pas Kinës, ndërsa Gjermania është shumë e varur nga gazi rus, i cili përbën 55 për qind të importeve të gazit të vendit.

Megjithatë, nëse këta faktorë do të shkrijnë akullin me Putinin, ka shume pikëpyetje që mbeten për tu diskutuar.

Scholz do të ngrejë çështje të tjera të vështira me Rusinë, siç është vendimi i Moskës në fillim të këtij muaji për të ndaluar median gjermane Deutsche Ëelle të veprojë në Rusi. 

Masa erdhi si hakmarrje ndaj një njoftimi nga rregullatori gjerman i medias, i cili tha se kanali në gjuhën gjermane RT i mbështetur nga Kremlini nuk mund të transmetojë në Gjermani për shkak të një mosmarrëveshjeje për licencën.

Hardt i CDU tha se pret që “Putini do të përdorë të gjitha instrumentet e ndikimit politik ndaj Scholz”. 

Ai kujtoi se Putini mund të ofroje ndonjë surprizë të pakëndshme për të ftuarit, siç bëri në vitin 2007, kur lejoi qenin e tij të madh të zi “Koni” në takimin me Merkelin, e cila dihet që i ka frikë qentë.

“Unë shpresoj që presidenti rus do të përmbahet nga gjëra të tilla të parëndësishme,” tha Hardt. “Kjo absolutisht nuk i përshtatet shekullit të 21-të”

Politico.eu/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë