Ish-futbollisti i famshëm gjerman, Franz Beckenbauer, një nga simbolet më të mëdha të futbollit botëror, i cili u nda nga jeta më 7 janar të këtij viti, do të nderohet në ceremoninë e hapjes së Euro 2024, këtë të premte, në “Allianz Arena”, në Mynih, para ndeshjes Gjermani-Skoci.
Dy kapitenët e skuadrave kampione evropiane gjermane, Bernard Dietz (1980) dhe Jürgen Klinsmann (1996), do të shoqërojnë bashkëshorten e Beckenbauerit, Heidi, në prezantimin e Kupës “Henri Delaunay” në fushë.
Në ceremoni do të jenë edhe përfaqësues të tri skuadrave gjermane që fituan Kampionatin Evropian, në vitin 1972 dhe 1980, si Gjermania Perëndimore, dhe në vitin 1996, me një ekip tashmë të bashkuar.
Beckenbauer, i konsideruar si një nga futbollistët më të mirë në histori dhe i mbiquajtur Kaiser (Perandor), ishte kapiteni i Republikës Gjermane në Kampionatin Evropian të vitit 1972, një kompeticion në të cilin gjermanët mundën ish-Bashkimin Sovjetik në finale (3-0 ).
“Kaiseri” gjithashtu mori pjesë si lojtar në triumfin e Gjermanisë në Kupën e Botës 1974, të mbajtur në tokën gjermane dhe, si trajner, udhëhoqi ekipin drejt fitores në 1990.
Si lojtar i Bayernit Beckenbauer fitoi tri Kupa të Kampionëve për Klube (1973/74, 1974/75 dhe 1975/76), gjashtë kampionate gjermane, pesë si lojtar dhe një si trajner. /supersport
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.