Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duket të jetë një ndër prioritetet e agjendës ndërkombëtare të Gjermanisë. Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Jashtëm gjerman Haiko Mass kanë zhvilluar të martën një bisedë telefonike, ku kanë diskutuar për nisjen sa më parë të bisedimeve dhe formatin e tyre.
Mass ka theksuar senë muajin qershor është parashikuar rifillimi i bisedimeve, i cili do të shënojë përballjen e parë të drejtëpërdrejtë të kryeministrit Albin Kurti dhe presidenti Vuçiç. Përgatitja e këtij takimi mësohet po shihet me kujdes si nga Kosova ashtu dhe nga vendet e Bashkimit Europian, sidomos Gjermania. Kjo çështje ka qenë pjesë edhe takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së dy ditët e fundit.
Në një mesazh në Twitter, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë citon ministrin Heiko Maas të ketë thënë gjatë bisedës telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “perspektiva evuropiane e Ballkanit Perëndimor është një çështje thelbësore për politikën e jashtme të Gjermanisë dhe se dialogu me Serbinë, është kyç. Presim të fillojmë nga puna.”
Ndërsa në njoftimin e tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e përmend çështjen e dialogut me Serbinë si pjesë të bisedës.
“Telefonatë produktive me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.” – shkruan Kurti, duke theksuar perspektivën e Kosovës dhe marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe.
Gjermania është një nga vendet që ka pasur një vëmendje të madhe ndaj këtyre bisedimeve dhe qëndrimi i saj ka qenë i qartë kundër çdo ndryshimi kufijsh në rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




