Futboll

Gjermania mund të provojë “biskotën” italiane të 2004-s

Nga ndeshja Danimark-Suedi, Euro 2004

Në Europianin e 2004-s Suedia e Danimarka luanin ndeshjen e fundit në Grupin C kundër njëra-tjetrës, ndërsa Italia përplasej me Bullgarinë. Italianëve u duhej me patjetër fitorja dhe çdo rezultat tjetër veç barazimit 2-2 në sfidën mes Danimarkës dhe Suedisë për t'u kualifikuar.

Italianët e parandjenin se kjo e fundit do të dilte pikërisht 2-2 dhe në media u fol edhe për një pakt të heshtur mes dy kombëtareve skandinave. Zërat që qarkulluan tërbuan trajnerët e përkatës nordikë.

“Është qesharake të mendosh se ne do të luajmë për të dalë barazim 2-2. Jemi njerëz të ndershëm dhe do të hyjmë në fushë për të fituar. Vetëm italianët po flasin për këtë, jo danezët dhe suedezët. Do të luajmë për një rezultat të ndershëm”, deklaronte trajneri danez, Morten Olsen.

Lars Lagerback

Lars Lagerback, bashkëtrajneri i asaj kohe në krye të Suedisë me Tommy Sodderberg u kujtonte italianëve Makiavelin.

“Makiaveli ka qenë italian dhe italianëve u pëlqen të mendojnë në mënyrë makiaveliane, por është e pamundur që të luajmë për një barazim 2-2 me Danimarkën dhe unë nuk mendoj se ndeshja do të mbyllet 2-2. Është një rezultat i pazakontë”, tha ai.

Por ishte pikërisht ky rezultat i pazakontë që mbylli një ndeshje të zakonte europiani. Pas kësaj mediat italiane u hapën me titullin “E hëngrëm biskotën”, duke iu referuar rezultatit 2-2 që i largoi nga Europiani që luhej në Portugali.

Barazimi 2-2 largoi Italinë

Pikërisht gatimit të një biskote të ngjashme u druhen gjermanët këtë botëror. Humbja në ndeshjen e parë me Meksikën i ka komplikuar gjërat për kampionët në fuqi të botës dhe duke filluar që nga ndeshja e radhës me Suedinë duhet që të shmangin jo vetëm humbjen, por edhe barazimin për të mos lënë fatin e kualifikimit në dorë të skuadrave të tjera.

Meksika do të luajë nga ana tjetër me Korenë e Jugut dhe një fitore e mundshme e saj do ta ngjiste në krye të grupit me gjashtë pikë. Nëse Suedia i merr një pikë Gjermanisë, ngjitet në 4 pikë.

Në këtë skenar, Meksika do të luante ndeshjen e fundit përballë Suedisë si skuadër e kualifikuar, ndërsa skandinavët do të kishin në lojë dy rezultate, fitoren dhe barazimin për të kaluar më tej dhe për të lënë Gjermaninë jashtë.

Humbjen vështirë se do ta pranonin meksikanët, që në këtë rast do të humbisnin edhe kryesimin e grupit, ndërsa suedezët në rast humbjeje do të humbinin shumë më shumë; kualifikimin. Të futura në fushë me këto llogari, dy skuadrat me gjasa do të luanin për një barazim, që do t’i kënaqte të gjithë, përveç Gjermanisë dhe tifozët e saj.

Kjo është e gjitha se përse shtypi gjerman hapej me fjalët “Turp”, kur fërshëllima përfundimtare i pa të humbnin 1-0 me Meksikën. Lojtarët i pranojnë kritikat, por jo dorëzimin. Manuel Nojer flet për dy ndeshje finale. Situatën e grupit e sheh shumë pozitive.

“Nga ky moment kemi dy finale për të luajtur, kundër Suedisë dhe Koresë së Jugut. Flasim shumë me njëri-tjetrin. Nuk kam parë asnjëherë më parë një nivel të tillë komunikimi, flasim me sinqeritet. I kuptojmë shumë mirë kritikat që na kanë bërë, por ne jemi shumë më kritikë me veten. Jemi të zhgënjyer për atë që shfaqëm në fushën e lojës”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë