Bota

Gjermania: Mund të na duhet të “mbijetojmë” 10 javë pa vaksina

Gjermania ka të ngjarë të përballet me një mungesë të vaksinave të koronavirusit të paktën deri në prill. Ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn ka paralajmëruar se ekonomia më e madhe e Europës do të duhet të “mbijetojë” të paktën 10 javë pa vaksina.

Ritmi i procesit të vaksinimit të Gjermanisë është vënë nën kritika të ashpra, pasi Berlini nuk ka arritur të përmbushë objektivin e përditshëm të vaksinimeve. Komentet e Spahn vijnë në mes të një mosmarrëveshje të madhe midis BE-së dhe prodhuesit të vaksinave AstraZeneca për shkak të uljes së nurmit të dozave që do t’i dorëzohen Europës.

Të enjten, Z. Spahn bëri thirrje për një samit vaksinimi që përfshin kompani farmaceutike, prodhues dhe politikanë për të eksploruar se si mund të përshpejtohet procesi. “Do të shohim sesi mund të mbështesim industrinë,” tha ai. “Ne do të kalojmë të paktën 10 javë të vështira.

Spahn mbështeti propozimin e BE për të krijuar një regjistër të eksporteve të vaksinave në mënyrë që të monitorojë se ku po dërgohen dozat.

Ritmi i programit të vaksinimit të BE-së është kritikuar javët e fundit, pasi një sërë vendesh nuk kanë arritur të përmbushin synimet. Zyrtarët kanë fajësuar një kombinim të çështjeve logjistike dhe furnizimit. Në Spanjë, autoritetet në kryeqytetin e Madridit kanë pezulluar dhënien e dozave të para të vaksinimit për të paktën dy javë për shkak të mungesave të vazhdueshme.

Një numër rajonesh të tjerë, përfshirë Katalonjën në veri-lindje, kanë probleme të ngjashme me stoqet e vaksinave. Zyrtarët katalanas besojnë se 30,000 dozat e tyre të mbetura do të mbarojnë këtë javë.

Shumë vende po përballen me mungesa të ngjashme për shkak të vonesave në dërgesat e vaksinave nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna, të cilat janë të vetmet që janë miratuar aktualisht për përdorim në BE.

Në Republikën Çeke, ministria e shëndetësisë bëri thirrje për një ndalim dy-javor të vaksinimeve të reja për shkak të problemeve të furnizimit, por kryeministri hodhi poshtë më pas këtë deklaratë. “Kjo deklaratë e ministrisë së shëndetësisë ishte e panevojshme,” tha Kryeministri Andrej Babis. “Qendrat e vaksinimit duhet të merren vetë me mungesën e vaksinave.”

Portugalia po ashtu po regjistron një numër të lartë të infeksioneve të reja dhe raportet sugjerojnë që spitalet në Lisbonë po luftojnë për të përballuar fluksin e pacientëve. Mjekët dhe ushtria gjermane janë vendosur në Lisbonë për të ndihmuar në menaxhimin e pandemisë.

Rastet janë rritur gjithashtu në pjesë të Francës dhe Presidenti Emmanuel Macron thuhet se po mendon për një bllokim më të rreptë. BE nënshkroi një marrëveshje me AstraZeneca në gusht për 300 milion doza, por Drejtori ekzekutiv i AstraZeneca Pascal Soriot tha se prodhimi ishte dy muaj prapa.

Blloku po përballet gjithashtu me vonesa në furnizimet e vaksinës Pfizer-BioNTech.

Gjermania ndalon fluturimet nga vendet ku po përhapen variantet e reja

Gjermania do të ndalojë fluturimet nga vendet e goditura me variantet e reja të koronavirusit, tha të enjten ministri i Brendshëm, Horst Seehofer.

“Ne jemi duke i përqendruar këto kufizime të udhëtimit në zonat ku po shfaqen më së shumti mutacionet e reja të Covid-19,  të cilat aktualisht janë Britania e Madhe, Portugalia, Afrika e Jugut dhe Brazili”, tha ai.

Shfaqja e varianteve të reja të koronavirusit në Britani të Madhe, Brazil dhe Afrikën e Jugut, që konsiderohen më infektive sesa lloji origjinal, ka nxitur shqetësimin në shumë vende që po përpiqen të frenojnë pandeminë.

Portugalia, e cila ka lidhje të shumta ajrore me Brazilin, gjithashtu ka raportuar së fundmi një numër të lartë të të infektuarve pasi e kaloi valën e parë të koronavirusit relativisht mirë.

Seehofer tha se bisedimet janë duke vazhduar për të vendosur se cilës kategori udhëtarësh mund t’i lejohet për të hyrë në Gjermani. Këto kategori mund të përfshijë gjermanët që kthehen, si dhe ata që punojnë në transportin e mallrave, pasi fluturimet e ngarkesave nuk duhet të ndërpriten.

Ministri i Brendshëm theksoi se Gjermania do të paraqite detaje mbi ndalimin e udhëtimit të premten dhe mezi priste që BE-ja të merrte një vendim të përbashkët për një çështje kaq të ngutshme shëndetësore për popullatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë