Pas një jave të tensionuar politike që kulmoi me protestën tek Kryeministria dhe godina e Parlamentit, Gjermania, përmes ambasadores së saj në Tiranë, Susanne Schütz i ka bërë edhe një herë thirrje opozitës se debati politik e ka vendin në Parlament.
Përmes një deklaratem, përfaqësuesja gjermane në Shqipërri ka ripërsëritur thirrjen se qeveria është legjitime.
“Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend”, shprehet Schutz.
Ndërkohë, ambasadorja shprehet e zhgënjyer për bashkëpunimin mes opozitës dhe qeverisë për reformën zgjedhore.
“Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve”, thekson ajo.
Në vijim, duke vendosur theksin tek vendimi i qershorit për negociatat, Schutz kërkon që Shqipëria të mos humbasë më kohë, por të finalizojë disa reforma të rëndësishme që ka nisur.
Ajo përshëndet faktin që edhe pse ngadalë, reforma në drejtësi po ecën. “Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë – reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale”.
Ambasadorja nënvizoi edhe vijimin e procesit të punës për ngritjen e strukturës së SPAK-ut. “Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore”, thuhet në deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




