Nëse keni planifikuar që këtë verë të udhëtoni drejt plazheve të mrekullueshëm të Mesdheut, apo të vizitoni kryeqytet plot diell të vendeve të BE-së, bëni mirë të jeni të përgatitur, pasi ka të ngjarë që kufijtë e BE-së të mos hapen deri në shtator. Kjo pasi Gjermania mësohet se ka kërkuar përgjatë ditëve të fundit që Bashkimi Europian të mbyllë kufijtë e jashtëm deri më 31 gusht.
Edhe pse Komiosioni Europian nuk ka marrë ende një vendim zyrtar, Danimarka e ka bërë zyrtare mbylljen e kufijve për vendet e treta deri në fund të muajit gusht, ndërkohë që vetë qeveria gjermane pritet të urdhërojë sot ndalimin e udhëtimit për shtetet që nuk janë pjesë e Zonës Shengen.
“AFP” shkruan se qeveria federale planifikon të ndalojë udhëtimet për më shumë se 160 vende jashtë Bashkimit Europian deri në vjeshtë.
Sipas mediave gjermane megjithatë, hapja e kufijve për të ashtuquajturat vendet e treta mund të hiqet më herët për disa shtete që plotësojnë kritere të caktuara, siç janë nivelet e ulëta të infeksionit, një sistem shëndetësor efikas, rregullat e higjienës dhe kapacitetet e larta të testimit.
Qeveria gjermane gjithashtu u ka këshilluar të gjithë qytetarëve të mos marrim krocere, për shkak të lehtësisë së përhapjes së virusit në anije. Ministri i Jashtëm Heiko Maas ndërmori hapin drastik për të dalë kundër hapjes së kufijve, për shkak të fuqizimit të epidemisë.

Vetëm javën e kaluar, Komisioni Europian vendosi të hapë kufijtë në korrik për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Ndërkohë vendet e BE-së do të hapin kufijtë me njëra-tjetrën më 15 qershor.
Megjithatë, duke komentuar planet e Gjermanisë, ekspertët paralajmërojnë se mbyllja e kufijve për destinacione turisktike si Turqia, Egjipti apo Tunizia, Mali i Zi apo Shqipëria do të dëmtojë edhe më shumë industrinë e turizmit, e cila është ndër më të prekurat nga kriza e koronavirusit.
Destinacionet e njohura të pushimeve si Turqia janë të dëshpëruar për turistët gjermanë. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pritet të telefonojë kancelaren Angela Merkel për të diskutuar këtë temë.
Edhe pse Gjermania duket se po vepron aktualisht si forca shtytëse për mbylljen e kufijve, mos hapja e dyerve të unionit deri në shtator është paralajmëruar në fakt që në fillim të shpërthimit të Covid-19 në Europë.
Paralajmërimi i parë erdhi nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të cilët deklaruan se kufijtë e jashtëm të zonës Shengen dhe Shtetet e Asociuara të Shengenit nuk duhet të hapen gjatë verës, pavarësisht sezonit turistik, për të parandaluar një valë tjetër të epidemisë së koronavirusit.
Në prill, Macron kërkoi që kufijtë e jashtëm që mbeten të mbyllur deri në fund të gushtit për të gjitha vendet që nuk janë pjesë e Zonës Ekonomike Europiane, përfshirë këtu edhe vendin tonë.

Deri më tani, Shqipëria dhe disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë hapur kufijtë me njëra-tjetrën dhe janë në pritje të hapjes së kufijve nga vendet e tjera fqinje që janë pjesë e BE-së.
Por mbyllja e Zonës Shengen deri në shtator, do të rriste edhe më shumë presionin për ata që duan të kthehen në Shqipëri, duke detyruar autoritetet të fillojnë sërish operacionet e riatdhesimit. Po aq e vështirë parashikohet të jetë edhe lëvizja mes vendeve anëtare, shumica e të cilave kanë mirëpritur deri më tani kërkesën e Gjermanisë.
Nëse Komisioni Europian vendos zyrtarisht mbylljen e kufijve të jashtëm deri në shtator, shqiptarët do ta kenë të pamundur të lëvizin edhe në vendet fqinje si Italia dhe Greqia.Një zyrtar i BE-së ka konfirmuar se edhe pasi të hapen kufijtë, ata që dëshirojnë të udhëtojnë në Zonën Shengen do të duhet fillimisht të bëjnë tamponin për Covid-19.
“Kur Kufijtë e Shengenit hapen në shtator, aplikantët për viza mund të kenë nevojë të bëjnë testin e koronavirusit”, tha ai për “Euractiv”.
Zyrtari gjithashtu vuri në dukje se pasi vaksina COVID-19 të jetë e disponueshme për të gjithë, aplikantët për vizë gjithashtu do të duhet që të vaksinohen në të ardhmen, në veçanti, nëse virusi mbetet aktiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.