Gjermania ka vendosur të forcojë paketën e saj të fuqishme të stimulimit ekonomik për të mbështetur biznesin gjatë pandemisë së koronavirusit, duke ofruar të paguajë punëtorët e sektorëve më të rrezikuar deri në fund të vitit 2021. Vendimi vjen mes shqetësimeve të ekspertëve se shteti po i mban bizneset në këmbë në mënyrë artificiale.
Subvencionet e pagave për punëtorët e prekur në Gjermani do të zgjaten me 12 muaj deri në fund të vitit të ardhshëm, ndryshe me shumicën e vendeve të tjera europiane, ku ndihma ekonomike pritet të përfundojë muajt e ardhshëm.
Këto paketa stimulimi i lejojnë kompanitë të punojnë përkohësisht punëtorë të pa punë, duke i paguar nga fondet e qeverisë. Deri më tani, programi i ka lejuar Gjermanisë të shmangë një rritje të papunësisë dhe mund të ndihmojë bizneset të përshtaten më shpejt me rritjen e kërkesës kur ekonomia normalizohet. 5,6 milionë punëtorë të regjistruar aktualisht mund të fitojnë deri në 87% të pagës së tyre ndërkohë që punojnë me orë të reduktuara ose aspak.
Pas më shumë se tetë orësh bisedimesh, kabineti i Angela Merkel vendosi po ashtu të zgjaste deri në fund të vitit grantet për të ndihmuar kompanitë gjermane të mbulojnë kostot fikse.
“Natyrisht është e rëndësishme që të kthehemi dalëngadalë në normalitet, me të ardhura dhe shpenzime normale,” tha Ministri gjerman i Financave Olaf Scholz të mërkurën në një intervistë me televizionin publik gjerman. “Por tani gjithçka ka të bëjë me stabilizimin e ekonomisë. Në po forcojmë stimulin ekonomik në mënyrë që Gjermania ta kalojë këtë krizë shumë më mirë se vendet e tjera “.
Paketa stimuluese e Gjermanisë e krahasuar me madhësinë e ekonomisë së saj, është më e madhja dhe më efektivja në Europë për luftimin e pasojave ekonomike nga pandemia. Që nga fillimi i krizës, Berlini ka premtuar pagesa të drejtpërdrejta, lehtësime tatimore, kapital, hua dhe garanci financiare. Paketa e ndihmës është sa 40.1% e prodhimit të brendshëm bruto të Gjermanisë, krahasuar me 23% në Mbretërinë e Bashkuar, 18.9% në Francën , dhe 14.8% në SHBA.
Ekonomia e Gjermanisë tashmë është ndër performuesit më të mirë të kontinentit këtë vit, pavarësisht mbështetjes së saj në tregtinë ndërkombëtare, e cila u pësoi rënie të jashtëzakonshme në pranverë për shkak të mbylljes së kufijve. Kjo vjen pjesërisht edhe për shkak të bllokimit relativisht të shkurtër dhe të butë të vendosur në Gjermanisë, por ekonomistët gjithashtu thonë se stimuli fiskal ka lehtësuar në përmasa të mëdha krizën.
Ekonomia gjermane pësoi një rënie prej 9.7% në tremujorin e dytë krahasuar me të parën, afërsisht sa SHBA-ja dhe ekonomitë kryesore evropiane përveç Francës dhe Italisë, ekonomitë e të cilave u tkurrën rreth 20% gjatë së njëjtës periudhë . Të dhënat e fundit ekonomike sugjerojnë se ekonomia e Gjermanisë tani po rimëkëmbet më fort se fqinjët e saj.
Pas vitesh të tëra të kufizimeve fiskal dhe normave historikisht të ulëta të interesit, qeveria e Gjermanisë mund të përballojë të shpenzojë më shumë se fqinjët e saj.
Paketa e Dytë Stimulimit arrin tanimë një total prej 1.3 trilion euro. Në vendet e tjera të Europës, rritja e borxhit publik po i shtyn qeveritë të fillojnë të tërheqin masat e tyre stimuluese. Programi i shpëtimit të Mbretërisë së Bashkuar do të përfundojë në tetor, ndërkohë që kontributi i qeverisë do të pësojë rënie në shtator. Programi i shpëtimit ekonomik të Italisë mbaron në fund të vitit.
Rritja e shpenzimeve shtetërore mund të sjellë përfitime politike për partitë në pushtet, pasi Gjermania përballet me zgjedhje kombëtare në fund të vitit të ardhshëm. Kjo paketë gjithashtu mund t’i japë vendit forcë ndërkohë që virusi po kthehet në Europë dhe konsumatorët dhe bizneset janë gjithnjë e më të kujdesshëm.
Sidoqoftë, qasja e Gjermanisë rrezikon gjithashtu të subvencionojë ndërmarrje joproduktive ose të dështuara, të cilat do të ngadalësonin rrjedhën e kapitalit dhe punëtorëve në sektorë të rinj të biznesit. Ajo gjithashtu mund të vonojë një valë falimentimesh dhe rritjen e papunësisë. Burimi: Wall Street Journal. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje