Nga Gazeta ‘Si’- Deklaratat e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për një mundësi dërgimi trupash europiane në Ukrainë kanë shkaktuar reagime të forta në radhët e Bashkimit Europian.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i hodhi poshtë si “të parakohshme” dhe theksoi se Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për çështje të tilla ushtarake.
Në një deklaratë për mediat gjatë vizitës së tij në një fabrikë municionesh në Këln të hënën, Pistorius tha:
“Këto janë çështje që nuk mund të diskutohen pa pasur në tavolinë palët përkatëse. Komisioni Europian nuk ka mandat për dislokim trupash.”
Kjo deklaratë vjen në reagim ndaj një interviste që Ursula von der Leyen dha për Financial Times të dielën, ku tha se Europa po harton “plane shumë të sakta” për vendosjen e një force shumëkombëshe në Ukrainë pas përfundimit të luftës, si pjesë e garancive të sigurisë për vendin, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Sipas Von der Leyen, ky mision mund të përfshijë dhjetëra mijëra trupa nën drejtim evropian, ndërsa SHBA do të ndihmonte në fushat e komandës, kontrollit, inteligjencës dhe mbikëqyrjes.
Presidentja e Komisionit tha se siguria e Ukrainës është “kritike” dhe shtoi se ka një “rrugë të qartë dhe marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë”. Ajo theksoi se, pavarësisht spekulimeve të kundërta, “procesi po ecën shumë mirë”.
Gjithashtu, Von der Leyen tha se presidenti amerikan i ka dhënë garanci se SHBA do të ketë një rol aktiv në kuadër të këtyre garancive të sigurisë për Ukrainën, deklaratë që, sipas saj, është konfirmuar disa herë nga Uashingtoni.
Ndërkohë, për të theksuar rëndësinë dhe urgjencën e temës, Franca do të presë këtë të enjte një takim të “Aleancës së të Gatshmëve”, një grup shtetesh që mbështesin Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Sipas Elysee-së, takimi i cili do të mbahet në format hibrid, me disa liderë të pranishëm dhe të tjerë virtualisht – do të fokusohet pikërisht në garancitë e sigurisë për Ukrainën, si dhe në refuzimin e Rusisë për të negociuar paqe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



