Analize

Gjermania “hap portat” për punëtorët. Kush përfiton nga sot

Më 1 mars në Gjermani ka hyrë zyrtarisht në fuqi Ligji i ri për emigracionin, i hartuar posaçërisht për thithjen e punëtorëve të aftë nga vendet jashtë BE. Me hyrjen e pranverës ekonomia më e madhe e Bashkimit Europian lehtëson procedurat për punëtorët që vijnë nga vende jashtë BE-së ndërkohë që paga minimale në Gjermani do të rritet përsëri, me 9,35 euro në orë ose 515 euro në muaj.

Ekonomia gjermane vuan nga mungesa e punëtorëve të aftë dhe qeveria e kancelares Angela Merkel është e dëshpëruar për të gjetur 1 milion profesionistët e nevojshëm, në mënyrë që të ruajë ritmin e rritjes ekonomike.

Sipas ligjit të ri, dy ndryshimet me të mëdha do të jenë që punëtorët e aftë me kualifikim profesional do të jenë në një pozitë të barabartë me të diplomuarit në universitet.  Po ashtu ligji i ri mundëson qëndrimin në Gjermani për gjashtë muaj për këdo që kërkon një punë, pra pa pasur ende kontratë. Kusht është që të mbuloni vetë shpenzimet e jetesës.

Gjermani hap portat për punëtorët. Kush do të përfitojë?, Gazeta Si, 2020

Për më tepër, që nga 1 marsi, do të jetë e parëndësishme nëse gjermanët ose qytetarët e BE-së janë tashmë të disponueshëm për një vend të lirë, pasi përballë tyre, një emigrant do të ketë të njëjtat shanse për t’u punësuar.

Eksperti i tregut, Herbert Brücker thotë se pengesa e vetme që nuk heq Akti i Imigracionit për Punëtorë të kualifikuar  është njohja e gjuhës gjermane. Kushdo që kërkon një vend pune ose stërvitje në Gjermani duhet të ketë kualifikimet e nevojshme për shkollë dhe të jetë në gjendje të paguajë vetë koston e jetesës (e cila mund të provohet me një llogari të bllokuar).

Si fuqi punëtore e kualifikuar nuk konsiderohen më vetëm njerëzit që kanë përfunduar universitetin, por edhe ata me shkollim profesional. Certifikatat apo diplomat duhet së pari të njihen në Gjermani. Për këtë është krijuar Qendra e Ndërmjetësimit të Njohjes së Kualifkimit, pjesë e Agjencisë Federale të Punës. (Informata më konkrete të jep portali “Make it in Germany”). Qëllimi është të verifikohet e të jepet vendimi brenda tre muajsh pas dorëzimit të dokumenteve të shkollimit në vendlindje. Viza për fuqinë punëtore të kualifikuar pas këtij verifikimi duhej të lëshohej brenda 4 javësh.

Gjermani hap portat për punëtorët. Kush do të përfitojë?, Gazeta Si, 2020

Parimisht çdo fuqi punëtore nga një vend i tretë si Shqipëria, që ka një kontratë pune në Gjermani dhe provon, se e ka kualifikimin profesional për këtë punë, mund të punojë në Gjermani.

Ndihmës punëtorët që nuk kanë një shkollim të caktuar nuk përfshihen në këtë ligj. Por megjithatë ekziston mundësia, që kush ka një kualifikim fillestar dhe një kontratë pune, mund të vazhdojë kualifikimet shtesë në Gjermani. Por punëdhënësi i ardhshëm duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për kualifikimin brenda dy vjetësh, i cili duhet të përfundojë me një diplomim apo çertifikim që njihet në Gjermani.

Çfarë kushtesh të tjera nevojiten?

Kush ka një kontratë pune apo një ofertë konkrete të vërtetuar pune, mund të marrë një vizë pune për katër vjet ose për sa kohë nënshkruhet kontrata. Pas katër vitesh qëndrimi, ai mund të kërkojë një vizë për qëndrim më afatgjatë, nëse plotësohen kushtet.

Një rregullore e veçantë vlen për ato punëtorët mbi 45 vjeç që duan të punojnë në Gjermani. Ata duhet të fitojnë të paktën 3685 Euro në muaj ose të vërtetojnë, se kanë kontribute pensione të krahasueshme.

Gjermani hap portat për punëtorët. Kush do të përfitojë?, Gazeta Si, 2020

Për profesionet, ku ka mungesa të theksuara të fuqisë punëtore, do të ulen më tej barrierat për punonjësit e huaj. Për shembull një mjek, një infermier i shkolluar, i cili ka të paktën 5 vite punë, nuk ka nevojë për njohjen formale të kualifikimit. Megjithatë duhet që punëdhënësi të premtojë se me përfundimin e kontratës, do të paguajë një vit koston e jetesës.

A mund t’i tërhiqni familjarët

Parimisht është e mundur që të merret partnerja apo partneri dhe fëmijët në Gjermani. Megjithatë duhet të vërtetoni se mund të sigurojë jetesën e tyre në Gjermani, të keni të ardhurave të mjaftueshme dhe keni hapësirë të mjaftueshme banimi. Nuk ka mbështetje nga shteti për raste të tilla.  Kjo ka bërë që shumë organizata të të drejtave të njeriut të kritikojnë qeverinë gjermane, duke thënë se Berlini kërkon fuqi punëtore, por jo njerëz me familje. Kush punon në profesionet sociale apo në kujdestarinë e fëmijëve e ka edhe më të vështirë të tërheqë edhe familjen.

A vlen ky ligj për azilkërkuesit?

Parimisht po, por nga leja e qëndrimit e ashtuquajtur leje qëndrimi për shkollim apo punësim mund të përfitojë një numër i vogël i tyre. Ata duhet që për një vit e gjysmë të ketë punuar më shumë se 35 orë në javë dhe të sigurojë kështu vetë jetesën. Përveç kësaj ai duhet të flasë gjermanisht në nivelin B2 dhe të mos ketë vepra penale.

Gjermani hap portat për punëtorët. Kush do të përfitojë?, Gazeta Si, 2020

Pas miratimit të projektligjit, qeveria gjermane theksoi se do të  ruante parimin e ndarjes së azilit nga emigrimi ekonomik. Në fakt, ligji i emigracionit nuk do të ketë ndikim në sistemin e azilit të Gjermanisë. Në përputhje me Konventën e Gjenevës, Gjermania do të vazhdojë të jetë e detyruar të presë refugjatët që ikin nga lufta dhe përndjekja

Ky rregull mbron azilkërkuesit që arrijnë të punësohen në Gjermani, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh. Deri më sot, shtetet gjermane kanë preferuar të deportojnë refugjatët, në vend që t’i japin leje punësimi. Për shumë nga deputetët e opozitës ligji i ri do t’u japë mundësi refugjatëve që u është refuzuar azili refuzuar mund të shfrytëzojnë rastin dhe të punësohen. Sipas rregullave të reja, emigrantët pa leje qëndrimi, të cilët mund të jenë në pritje të vendimit pas aplikimeve për azil ose në pritje të dëbimit, mund të qëndrojnë në Gjermani, në qoftë se janë të punësuar dhe mund të vërtetojnë se janë integruar në strukturën e shoqërisë gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë