Gazeta Si – Pas largimit të Flik, trajneri i tretë më i keq në histori dhe i pari i shkarkuar, Gjermania ka nevojë të gjejë një udhëheqës për Europianin e shtëpisë. Rudi Fëler, që e ka drejtuar Gjermaninë në Botërorin e 2002-shit, ku ajo zuri vend të 2-të, pas Brazilit të Ronaldos, ka bërë me dije se pas miqësores me Francën do jetë sërish drejtues dhe jo trajner.
Për drejtuesit e Federatës gjermane tani ka një dilemë: të gjejnë menjëherë një trajner, apo të presin Jurgen Klop deri në fund të eksperiencës së tij te Liverpuli, që më pas të drejtojë ‘Nationalmannschaft’ në Botërorin e 2026. Nëse zgjedhin variantin e dytë, duhet të gjejnë një trajner të përkohshëm.

Klop ka bërë me dije se në jetë ndodh gjithçka dhe se për momentin nuk e di se kur do të përfundojë aventura e tij në Angli. Gjithsesi, ai nuk do të qëndrojë përjetësisht aty. Jurgen Klop, edhe nëse e merr drejtimin e Gjermanisë, do ta bëjë pas Euro 2024, që zhvillohet në Gjermani dhe është shumë i rëndësishëm.
Kush do ta drejtojë këtë kombëtare në Europianin e shtëpisë? Një emër është Matias Samer, por ai nuk drejton që prej 2005-ës. Jurgen Klinsman, ish-trajner i Gjermanisë në Botërorin 2006, dhe Lotar Mateus janë kandidatë të tjerë. Tre emra të mëdhenj të futbollit gjerman.
Mes atyre që mund të marrin drejtimin e ekipit për një kohë të gjatë është Julian Nagelsman, por kjo është një hipotezë e komplikuar, sepse sjellja e ish-trajnerit të Bajernit nuk është pëlqyer nga ambienti gjerman dhe drejtuesit e Federatës. Ka edhe një hipotezë për Van Gal, por mosha nuk është në favorin e holandezit. Ideja tjetër është Oliver Glasner.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




