Ne rrjet

Gjermania e dyta në botë për emigrantët pas SHBA-së

Gjermania është zyrtarisht vendi i dytë i preferuar në botë për të emigruar pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke a kaluar kështu Australinë, Kanadanë apo Zelandën e Re.

Sipas një studimi të organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD, Gjermania renditet pas SHBA-së si vendi i dytë më i preferuar nga emigrantët.

Të dhënat vijnë ndërkohë që numri i të ardhurve si refugjatë në Gjermani ka rënë, pasi drejt ekonomisë më të madhe të Europës po shkojnë të huaj që kërkojnë punë apo duan të studiojnë.

Në studim konstatohet edhe një fenomen tjetër. Gjithnjë e më pak punëtorë vijnë nga Europa Lindore. Polonia për shembull po kalon gjithnjë e më shumë nga një vend ku emigrohej në një vend destinacion për punëtorët emigrantë. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë nga Ballkani Perëndimor kërkojnë punë në Gjermani.

Në të njëjtën kohë ka rënë ndjeshëm numri i kërkesave për azil nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, pasi qytetarët nga Ballkani po lidhin më kontrata pune duke plotësuar nevojat e Berlinit për forcë punëtore.

Së fundmi qeveria gjermane miratoi një ligj të ri për pranimin e punëtorëve të kualifikuar nga vendet e jashtë BE-së, duke hequr shumë nga pengesat që kishin bërë punësimin e qytetarëve nga Ballkani pothuajse të pamundur. Qeveria gjermane po u jep shpresë emigrantëve të kualifikuar që të lejohen të punojnë në Gjermani.

Përveç të diplomuarve, ligji mundëson edhe punësimin e njerëzve me arsim profesional. Emigrantët do të lejohen të qëndrojnë gjashtë muaj në Gjermani dhe të kërkojnë punë. Nëse punësohen në profesionet ku ka mungesë akute të kualifikuar, si në IT ose shërbime e kujdesit, emigrantët nuk do të kenë nevojë t’u vërtetojnë autoriteteve gjermane se janë të kualifikuar.

Në të njëjtën kohë, qeveria gjermane merr përsipër të informojë më së miri aplikantët e mundshëm jashtë vendit dhe t’i drejtojë ata nëpër xhunglën e administratës gjermane.

Gjermania është tanimë një nga vendet më liberale për emigracionin në botë. Në tërësi, për momentin në Gjermani punojnë rreth 1,5 milionë të punësuar ose me punë të vogla nga Europa Lindore, midis tyre 422.000 polakë dhe 349.000 rumunë. Nga shtetet europianojugore Greqi, Itali, Portugali dhe Spanjë në Gjermani kanë qenë së fundi të punësuar 614.000 vetë.

Refugjatët, me 327.000 të punësuar në tregun gjerman të punës, janë ende pak, edhe nëse shifrat së fundi janë rritur më shumë se ç’besohej. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” bën të ditur duke iu referuar shifrave të Agjencisë Federale të Punës se në korrik të këtij viti, numri i të punësuarve në Gjermani u rrit me 700.000 vetë krahasuar me një vit më parë. Më shumë se gjysma e tyre, rreth 370.000 janë të huaj.

Ndërkohë OECD pret që në vitet e ardhshme të ketë sërish një valë të re refugjatësh. "Ne vetëm nuk e dimë, se kur", thekson eksperti i migracionit, Thomas Liebig. Ekspertët vënë re po ashtu se në vendet e OECD ndryshimet në politikën e azilit kanë sjellë përshpejtimin e procedurave të azilit dhe përdorimin më të mirë të qendrave pritëse. Në BE në tërësi kërkesat e para për azil kanë rënë në nivelin e vitit 2014, por Komisioni Europian raportoi, se në korrik të këtij viti është shënuar një rritje e shpejtë e kërkesave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë