Bota

Gjermani, një 32-vjeçare plagos me thikë pesë persona në një autobus në Siegen

Gazeta Si – Ata që mbërritën të parët në vendngjarje, policia dhe ekipet e shpëtimit, folën për skena të tmerrshme.

Gjak në tokë, në sediljet e autobusit, në rrobat e njerëzve. Fëmijët dhe adoleshentët që po shkonin në festivalin e qytetit të tronditur, u gjendën të bllokuar në transportin publik, ndërsa një grua me tërbim filloi të godiste me thikë, duke synuar njerëzit.

Të paktën pesë persona kanë mbetur të plagosur me thikë në një autobus në Siegen të Gjermanisë, ku autore dyshohet se është një grua.

Autobusi ishte duke qarkulluar në drejtim të një festë në këtë qytet, kur një grua nxori thikën dhe filloi të sulmonte udhëtarët.

Të pesë personat e plagosur janë transportuar në spital ku mjekët po luftojnë për jetën e të paktën tre prej tyre.

Agresorja, 32-vjeçare është arrestuar nga policia, ndërsa deri më tani nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për ndonjë sulm terrorist, ndërsa ende nuk dihet shkaku i sulmit.

Policia pohon se sulmuesja ka qenë nën ndikim të alkoolit, por shpjegime të tjera për motivet nuk ka. Ky është sulmi i katërt me thika në landin e Renanisë Verirore-Vestfalisë (NRW), brenda shtatë ditësh.

Në Solingen një terrorist islamik ka vrarë tre dhe ka plagosur tetë të tjerë. Në Moers dhe në Recklinghausen kanë ndodhur po ashtu sulme me thika, ndërsa policia vrau dy sulmuesit.

Sulmi i mbrëmshëm ndodhi pas masave që ka marrë qeveria e Gjermanisë për parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe vendimin për dëbimin e personave të cilëve iu është refuzuar azili.

Siegen po festonte dje 800-vjetorin themelimit të qytetit. Tre ditë feste, nga e premtja në të dielë, “më e madhe se kurrë” – kështu shkruhej në posterat e varur në qytet – me pesë skena dhe muzikë live, por që u përgjakën nga sulme brutale me thikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë