Muzike

Gjergj Leka: Ne, që të nesërmen e lamë në dorë të Zotit

Ka ndryshime brezash në çdo vend të botës, thotë Gjergj Leka, por ndryshimet në Shqipëri, shtyrë nga specifika e zhvillimeve politike, shoqërore dhe ekonomike, kantautori i sheh se e kanë, zbehur, deri në shuarje shpresën. “Siç e them edhe tek kënga ime “Ne gëlltitëm me djersën, edhe pikat e lotit. U rritëm me gardhet me tela, por idhull për ne u bë Vaçe Zela”, thotë Leka rreth këngës “Një ditë tjetër”, me të cilën konkurroi në Festivalin e 57-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar për të mbërritur – edhe për habinë e tij – deri në natën finale të 22 dhjetorit. Një këngë, të cilën zbulon se nuk e ka shkruar me ambicien për të mbërritur në Eurovizion, por për të përcjellë atë shqetësim që ai dhe të tjerë si ai, që kanë zgjedhur të jetojnë në këtë vend, ndajnë në përditshmëri. Në kopshtin e shtëpisë së tij, ku pret e përcjell miq e gatuan për ta, ka rrëfyer se u frymëzua të shkruante këngën. “Kjo më bëri që këtë këngë t’ua kushtoja pikërisht atyre, miqve të mi artistë, por edhe të gjithë të moshuarve, varfërisë”, ka thënë Leka. Ishte një këngë, që sipas tij mund t’i bënte të ndiheshin disi të përfaqësuar apo të mbështetur ata që vuajnë. “Edhe sikur kjo këngë të mos shërbejë për asgjë tjetër”, do të thoshte ai, duke mos e fshehur se kënga është në thelb politike. “Këngë jo protestë, por super protestë! Uroj ta kenë dëgjuar,  por nga njëri  vesh u ka hyrë,  nga tjetri u ka dalë.  Janë të paturp!  Dalin, shohin kameran dhe gënjejnë në atë mënyrë aq të shpëlarë, sa edhe Al Pacino i ka zili. Janë aktorë që kanë mbaruar shkollën e hajdutëve më të mirë.  Fjalët  më të rënda kam, madje shumë pak kam bërë me këngën”.


Ne e dimë, pas pak ju do të vini sërish
Të djathtë o të majtë
buzëqeshur e kokulur,
do të trokisni në çdo derë e sokak,
por dyert e zemrës do t’i gjeni mbyllur


Këndon me ton recitativ Gjergj Leka, i cili në natën e dytë të festivalit, e menduar nga drejtoresha artistike, Inva Mula si një mbrëmje performancë, e ngjashme me atë që ndodh edhe në Festivalin Europian të Këngës, “Eurovizion”, u shoqërua në sfond nga zëri i aktores së njohur Margarita Xhepa dhe në skenë nga aktori Ervin Bejleri, i grimuar si një burrë i moshuar, përfaqësues i brezit, që Leka në vargjet e tij e ka quajtur brezi i tretë.


Ne brezi i tretë, ne ‘Garda e vjetër’
Përralla fëmijëve u tregojmë gjithë siklet
Nesër do të jetë një ditë tjetër

“Nuk e kam me një qeveri e kam me të gjithë. Për mua të gjithë janë njësoj dhe nuk ka për të ndryshuar  gjë. Vodhi një palë,  do të vjedhë pala tjetër”, thotë ai.
Gjergj Leka, megjithë optimizmin dhe shpresën që i mban gjallë artistët në çdo epokë, ata që ditën t’i bëjnë ballë edhe kufizimeve më të skajshme e më të frikshme të diktaturës, trembet më shumë nga e sotmja dhe nuk ka besim më se mund të rregullohet diçka. Duket se ky vit ka bërë që revolta e qytetarëve që dalin të protestojnë nëpër rrugë, të shkojë deri në skena festivalesh, ku më herët ishte Robert Aliaj në “Kënga Magjike” , që përcolli realitetin akut të shoqërisë shqiptare me këngën “Ah ku më hodhi zoti”. Kënga, rrëfen muzikanti, u krijua në gusht. Që do të thotë se nuk ishte në valën e protestave studentore, të dhjetorit, edhe pse rrëfen ai, këngën në natën finale, ua kushton studentëve. “Të them të drejtën, nuk e kisha për festival. U frymëzova nga miqtë e mi”, pa dashur të përmendë emra, disa prej të cilëve i kanë dhënë shumë artit dhe kulturës së vendit, Leka thotë “Kur i sheh në ç ‘gjendje janë, sidomos ata që dhanë shumë, qofshin artistë të brezit tim, piktorë, skulptorë që janë në skamje…”Megjithëse i rritur në skenën e Festivalit të këngës në RTSh, të cilin edhe e ka rritur, siç thotë ai, në dyzet vjet karrierë si kompozitor dhe kantautor, Gjergj Leka nuk e priste që kënga të pranohej, edhe pse e çoi në konkurrim. “Duke qenë i lirë, nuk i jap kujt llogari nuk e mendova shumë, por fakti që RTSh nuk më vuri censurë, tregon për një hapje të tyre”, thotë ai, duke e parë me rëndësi që i adreson problematikat nga një skenë festivali, që financohet nga shteti. “Të hapet skena dhe të flasësh  për probleme, e shoh si fitore të madhe. Fakti që e bëj nga foltorja e shtetit ka rëndësi.” Befasi, pranon ka qenë edhe prita pozitive që ka pasur kënga, veçanërisht nga brezi i ri.

“Megjithatë, ja ku është. Kuptohet, pa pretendime, por e pranishme”, ka thënë ai, të cilin e sheh këtë ngjarje të muzikës, si një nga më të rëndësishmet, pavarësisht ndryshimit të kohërave. Para viteve ’90, Leka i ka dhuruar festivalit kompozime si “Për ty baba” e vitit 1985 e kënduar nga Bashkim Alibali, një vit më pas kënga “Shokë jete” e interpretuar nga Luan Zhegu, “Beso te dashuria” , apo edhe “Këngë pa fund është rinia” e vitit 1989, nën interpretimin e Frederik Ndocit. Si interpretues, Leka do të merrte pjesë në Fest’ 53 me këngën “Himn”, bashkëpunim me autoren e teksteve Zhuliana Jorganxhi. Me këtë këngë u vlerësua edhe me çmimin e interpretuesit më të mirë. Megjithatë nuk do ka ndërmend ta lërë këngën vetëm me jehonën e festivalit, por ka realizuar edhe një videoklip, prezantuar në mbrëmjen e dytë, duke zgjedhur aktoren Margarita Xhepa, edhe si përfaqësuese jo vetëm të një brezi, por edhe të artistëve dhe që, siç ka zbuluar ai, ishte frymëzim i këngës. “Në mendje kam pasur Margaritën, Tinka Kurtin dhe Roza Anagnostin. Kënga  u përket drejtpërdrejt atyre”, zbulon Leka. Thotë se shkoi në shtëpinë e aktores për t’i regjistruar zërin. “Që të mos e bezdisnim.” Për Lekën kënga është ai klip, që shfaqi natën e dytë të festivalit. “Është pak e rëndë, por ato hekurat i kam vënë, që të them: I  pafsha atje!  Nuk kam fare doreza”. Nostalgjinë për atë brez të shkuar artistësh e muzikantësh, Gjergj Leka ia sjell publikut në emisionin “Na ishte njëherë muzika”, në ekranin e kanalit televiziv “News 24”. “Bëra një program që në fillim e pagova vetë, sepse kisha qejf sikur edhe sikur njëzet Gjergjë të ishin, do të jepja diçka që asnjë televizioni nuk e jep.  Sot që po flasim ky program është i dyti të shtunën dhe të dielën,  në klasifikimin e audiencës”, thotë Leka, duke shtuar. “Kjo tregon se në popull ka  shumë e  shumë Gjergj Leka. Të lexosh mesazhet që më vijnë  nuk janë mbi 50 vjeçare, por ka edhe 30 e 25 vjeçarë.” Zbulon se është duke përgatitur një program të veçantë për Krishtlindjen dhe madje shpresoi të mos ishte në natën finale të festivalit, “për të mos qenë në të njëjtën kohë në dy ekrane”, thotë. “Po përgatis pesë orë program të Vitit të Ri, me gjërat më të bukura, që nga humori”, zbulon, duke shtuar se do të vijojë me këtë program “derisa t’u  jap njerëzve atë që duan”.


Që në vogëli
Në mendje më rri
Një shprehje kult nga një film i vjetër
Rossella O’hara që thoshte në fund
Nesër do të jetë një ditë tjetër


Këndon Leka për të gjithë ata që e dinë se më shumë sesa besim dhe shpresë tek e ardhmja është një gënjeshtër, që ia themi vetes për t’u zgjuar edhe në një të nesërme, më shumë. “Nuk mendoj që këtu mund të ndikojë më diçka për të rregulluar gjërat, por unë do përdor rrugën time.

Unë këngën kam në dorë, muzikën, përmes saj do flas, ta dëgjojë kush të dojë”, do të thoshte kantautori, i cili ndjeshmërinë për problemet sociale në Shqipërinë post-tranzicion i ka pasqyruar edhe në krijime të tjera, siç ishte kënga “Tropojani”, pak vite më parë në “Kënga Magjike”, ku kritikonte ndasitë krahinore. “E bukura është se e bëra kur deshën tua shtypin kokën,  jo kur ishin në pushtet se do të më thoshin të ka paguar Saliu”, kujton duke qeshur ai. Si një njeri, që gëzimet dhe hidhërimet i shpreh mbi pentagram, duke cituar një këngë të para dy viteve të tij në festival, titulluar “Himn”, Gjergj Leka sjell një himn të ri, për të gjithë ata njerëz që besuan tek ndryshimi dhe u zhgënjyen, duke parë makinerinë e politikës, të majtë e të djathtë që nuk bën tjetër veçse përjetëson dëshirën për pushtet ata që këndojnë “Është  vetmi mjet që unë kam, është muzika. Nuk ma fërshëllente kush për të dalë në shesh. Shokët e mi duan të ruajnë vendin e punës, mua nuk ma kanë dhënë këta”.


Ne brezi i tretë, që të tashmen jetojmë
Të nesërmen lamë në dorën e Zotit


Muzika ka luajtur gjithnjë rol në shoqëri si mjet proteste kundër çështjeve politike, shoqërore e kulturore dhe për një njeri që lindi për të falur veç nota, skena është sheshi më i mirë për të protestuar…

 

Më Shumë