Drejtësia

Gjergj Laçi mohon akuzat për dhunë dhe ngujimin e familjes, por gjykata e lë në burg

Gazeta Si – Gjergj Laçi ka mohuar akuzat se për 6 vjet ka ngujuar dhe keqtrajtuar bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

Megjitatë, këtë të martë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 52-vjeçarin nga Dibra.

Në seancë ai ka pretenduar se nuk ka ushtruar dhunë ndaj dy djemve dhe gruas dhe se nuk i ka penguar që të dalin jashtë.

LEXO EDHE:
– Babai i 52-vjeçarit që ngujoi familjen mohon akuzat: Nuk është për burg, por për spital
– Mbajti ngujuar familjen, një tragjedi që lindi nga problemet e shëndetit mendor. Asnjë nuk vuri re mungesën e gruas dhe fëmijëve për 6 vjet

Për arsyen pse nuk i dërgon dy të miturit në shkollë, deklaroi se nuk kanë asnjë nevojë.

Duke këmbëngulur se është i pafajshëm, Laçi shtoi se për fishekët dhe thikat që iu gjetën në shtëpi ka deklaruar se i mbante për punë.

Nga ana tjetër avokati i Laçit ka kërkuar që 52-vjeçarit t’i bëhet ekspertize mjeko ligjore për shëndetin mendor.

Ndryshe nga çfarë pretendon 52-vjeçari, njëri prej fëmijëve ka rrëfyer para hetuesve se babai i kërcënonte që të mos bënin asnjë hap jashtë derës së shtëpisë ndërsa i mbushte mendjen se kishte njerëz që donin t’i vrisnin.

Gjendja psikologjike e fëmijëve është e rënduar, teksa aktualisht mbahen në qendër rehabilitimi sëbashku me nënën e tyre.

Një ditë më parë, familjarët e tij hodhën poshtë akuzat për Laçin, duke deklaruar se kishte nevojë për medikamente mjekësore.

I dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, autori mbante të mbyllur prej 6 vitesh duke i dhunuar sistematikisht dhe kërcënuar me armë të ftohta, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, të cilët nuk i lejonte të frekuentonin shkollën, për shkak të bindjeve të tij radikale.

Pas operacionit të zhvilluar, në banesë janë gjetur dy thika, shkopinj druri dhe 700 fishekë të cilët i kishte groposur në oborrin e shtëpisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë