Pas një viti përdorimi të automjetit tim elektrik, të cilin ende e dua shumë, kam mbledhur disa përvoja që njerëzit duhet t’i marrin parasysh para se të blejnë një EV.
Problemet me riparimet
Automjetet elektrike kërkojnë shumë më pak mirëmbajtje se automjetet me motor konvencional. Por disa muaj pas blerjes së Hyundai Ioniq 5 2024, filluan problemet me riparimet dhe sigurimin.
Në një aksident të vogël, pjesa e pasme e parakolpit u shkëput. Me çmimet e larta të riparimeve dhe faktin që parakolpet janë të mbushura me sensorë, bëra një kërkesë tek siguruesi im, USAA, dhe e dërgova në një nga punishtet e rekomanduara. Pak ditë më vonë, punishtja më tha se nuk mund ta riparonte, sepse mekanikët e tyre nuk ishin të certifikuar për automjete elektrike.
Pasoi një luftë tre-mujore për të bindur siguruesin të paguante për një mekanik të kualifikuar ,një përvojë që nuk e kisha hasur kurrë në 20 vjet pronësi makinash.
Një përfaqësues i USAA tha se kompania punon për të zgjidhur kërkesat shpejt dhe drejt, duke bashkëpunuar me një rrjet punishtesh të certifikuara për EV-të, mjetet elektrike. Erin Keating, analiste në Cox Automotive, shpjegon: “Eksperienca juaj nuk është unike. Mekanikët duhet të jenë të certifikuar për të punuar në mënyrë të sigurt me bateritë me tension të lartë dhe të dinë si të trajtojnë kompjuterët kompleksë të makinave elektrike.”
Kursimet nga karburanti
Gjatë vitit të kaluar, kam kursyer rreth 453 dollarë nga karburanti, duke udhëtuar rreth 11,000 milje me makinën. Kjo është një kursim rreth 45% krahasuar me një hibrid benzinë-elektrik si Hyundai Tucson ose Toyota RAV4.
Por nuk dihet nëse këto kursime do të vazhdojnë. Lufta me Iranin po rrit çmimet e karburantit, ndërsa unë jetoj pranë një zone me shumë qendra të dhënash, gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimit të elektricitetit.
Zhvlerësimi i shpejtë i EV-ve të reja
Fatmirësisht, unë mora makinën me leasing. Një makinë tipike humbet rreth 50% të vlerës brenda pesë vitesh, por disa EV të rinj kanë humbur 50% të vlerës brenda dy vitesh.
Një arsye e kësaj është se Hyundai uli çmimin e modeleve 2025 dhe 2026 me rreth 9,000 dollarë. Keating thotë se pasi çmimet dhe tiparet stabilizohen, zhvlerësimi nuk do të jetë kaq dramatik në të ardhmen. Ndërkohë, ka shumë EV të përdorura me çmime të përballueshme, dhe një EV i përdorur me pak kilometra mund të jetë oferta më e mirë aktualisht.
Kur t’i kthej makinën në fund të leasing-ut, Hyundai do të ketë një makinë me rreth 7,000 dollarë më pak se sa kam paguar gjatë tre viteve. Pra, në këtë rast, unë përfitoj.
Udhëtimet me makinë nuk janë gjithmonë të thjeshta
Për një person si unë, që e do teknologjinë, udhëtimet nuk janë problem. Nuk më shqetëson planifikimi i rrugës me aplikacione si “A Better Routeplanner”. Shumë EV kanë planifikues rrugësh të integruar, por jo gjithmonë funksionojnë saktë. Në Shtetet e Bashkuara ka stacione karikimi të shpejtë në intervale të rregullta, edhe në zonat rurale.
Por për bashkëshorten time, e cila nuk e pëlqen shumë teknologjinë, këto udhëtime mund të jenë të bezdisshme, sepse nuk mund të ndalosh thjesht në rrugë për të karikuar makinën. Për më tepër, rrjeti elektrik amerikan është i vjetër dhe i ngarkuar, kështu që nuk do të shohim së shpejti karikim pesë-minutësh si në Kinë./Shkruar nga Christopher Mims, kolumnist i WSJ
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje