Bota

Gjeorgji, Parlamenti rrëzon veton e presidentes dhe miraton ligjin për ‘agjentët e huaj’

Gazeta Si – Parlamenti i Gjeorgjisë ka rrëzuar të martën veton e presidentes së vendit, Salome Zurabishvili, ndaj të ashtuquajturit ligji për “agjentët e huaj”.

Ky vendim ka zemëruar protestuesit e mbledhur pranë ndërtesës së Parlamentit dhe do t’i rrezikojë vendit rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ashtu siç pritej, e përshpejtoi votimin për rrëzimin e vetos më 28 maj. Ajo, së bashku me partinë aleate, Partia Demokratike e Gjeorgjisë, kanë 84 deputetë nga 150 sa ka Parlamenti gjeorgjian.

Për ta zhvlerësuar veton e Zurabishvilit nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 76 votash. Deputetët gjeorgjianë e morën këtë vendim megjithëse Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare i kërkuan atyre të mos e rrëzojnë veton për një ligj të cilit shpesh iu referohen si “ligji rus”, për shkak të ngjashmërisë me legjislacionin që Kremlini e ka në fuqi për t’i heshtur opozitën dhe lirinë e shprehjes.

Ligji i kthehet tani presidentes Zurabishvili për ta nënshkruar. Nëse ajo nuk pranon, atëherë kryetari i Parlamentit, Shalva Papuashvili nga partia në pushtet, mund ta nënshkruajë ligjin dhe ta publikojë.

Qindra protestues, kryesisht të rinj, u mblodhën paqësisht pranë hyrjes së pasme të Parlamentit, ku kishte prani të madhe të policisë. Ata brohoritën “Jo ligjit rus” dhe valëvitën flamuj gjeorgjianë dhe të BE-së.

Zurabishvili u tha protestuesve të mos i lejojnë 84 deputetët, që votuan për projektligjin, ta thonë fjalën e fundit.

“Tani ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u përgatitur për 26 tetorin, i cili do të jetë përgjigja jonë për sot. A jeni të zemëruar sot? Zemërohuni, por t’i përvishemi punës”, tha ajo, duke bërë thirrje për një fushatë për të mbledhur nënshkrime për një referendum.

Megjithatë, referendumi nuk është i mundur, për shkak se do të duhej të mbahej në gjithë territorin e Gjeorgjisë dhe aktualisht, 20 për qind e territorit të saj është i uzurpuar nga Rusia. Plebishiti do të ishte i mundur, por ai nuk është i detyrueshëm.

Ligji për “agjentët e huaj” është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, si dhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka thënë se ai “nuk është në përputhje” me përpjekjet e kamotshme të Gjeorgjisë për t’iu bashkuara bllokut.

Sipas ligjit, i cili nxiti protesta disajavore që u shtypën dhunshëm nga autoritetet, mediat dhe organizatat joqeveritare do të detyrohen të regjistrohen si “ndjekëse të interesave të një pushteti të huaj”, nëse më shumë se 20 për qind e të hyrave të tyre janë financim nga jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë