Shendet

Gjenerata e re e antibiotikëve, ilaç për tuberkulozin që u rezistonte medikamenteve

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në SHBA ka miratuar një medikament të ri për tuberkulozin, i cili së fundmi ishte bërë shumë rezistent ndaj medikamenteve. Tuberkulozi është një sëmundje që vret rreth 1.6 milionë njerëz në vit, kudo nëpër botë dhe rreth 500.000 prej tyre vuajnë më së shumti nga rezistenca ndaj antibiotikëve.

logo hippo

Antibiotiku i ri i quajtur “pretomanid”, u zhvillua nga një organizatë jofitimprurëse e quajtur TB Alliance, në një kohë kur disa kompani farmaceutike po investojnë shuma të mëdha parash për krijimin e antibiotikëve të një gjenerate tjetër. Studiuesit shpresojnë që TB Alliance mund të shërbejë si një model për zhvillimin e medikamenteve që deri tani nuk kanë qenë efikasë ndaj mikrobeve apo virueseve që kanë evoluar viteve të fundit. Kombet e Bashkuara kanë parashikuar që infeksione të tilla mund të shkaktojnë 10 milionë vdekje çdo vit deri në vitin 2050, nëse nuk bëhet asgjë për të parandaluar këtë fenomen.
“Ne mund të kemi një ndikim të madh në jetën e njerëzve që janë të prekur nga sëmundje infektive dhe gjithashtu, të ndërmarrim një hap të madh drejt zhdukjes së sëmundjeve të tilla si tuberkulozi,” shprehet Mel Spigelman, presidentja e TB Alliance.

Kompanitë farmaceutike kanë braktisur përgatitjen e antibiotikëve, sepse kanë një kosto shumë të lartë për t’u realizuar, duke u kushtuar kështu rëndësi medikamenteve të tjera si për shembull ato që përdoren për presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës dhe të diabetit. Sipas tyre, të gjithë antibiotikët e miratuar gjatë viteve të fundit, nuk kanë rezultuar efektive kështu që, shitjet kanë qenë shumë të pakta e kjo çon në humbje financiare.
TB Alliance u shpreh se 95 nga 107 pacientët që morën pjesë në provë e parë klinike të antibiotikut pretomanid, kishin një rezultat të shkëlqyer vetëm pas gjashtë muajsh trajtimi. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se rreth 120 vende të ndryshme në botë vuajnë nga rezistenca ndaj medikamenteve të tuberkulozit. Infeksionet bakteriale zhvillojnë rezistencë ndaj antibiotikëve të përdorur kundër tyre. Tashmë infeksionet janë bërë jashtëzakonisht të vështira për t'u trajtuar. TB Alliance ka deklaruar se shpreson që miratimi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve të lejojë edhe vende të tjera të përfitojnë medikamentin.

Disa ekspertë shprehen se qeveritë duhet të forcojnë dhe të ofrojnë më shumë stimuj financiarë për kompanitë farmaceutike. Përpjekje të tilla nga qeveria amerikane kanë çuar në një rritje të zhvillimit të 42 antibiotikët të rinj në 2019, krahasuar me gjashtë që kanë qenë në 2004.
“TB Alliance ka treguar se përpara se të mendojmë për përfitimet vetjake është e rëndësishme të mendojmë për mirëqenien e përgjithshme, pasi vetëm kështu do të fitojmë ndaj rezistencës ndaj antibiotikëve,” shprehet Helen Boucher, një pedagoge e mjekësisë në qendrën mjekësore Tufts, e specializuar për menaxhimin e rezistencës ndaj antibiotikëve. /The Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë