Gazeta Si – Një pako me lëndë të dyshuar plasëse është gjetur në lagjen “3 Heronjtë” në Shkodër, ku sipas policisë dyshohet se është hedhur nga Mikelian Toma dhe David Simoni më 26 mars, ditën e arrestimit të tyre.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 26.03.2025, për arrestimin e shtetasve M. T. dhe D. S., të cilët nuk iu bindën urdhrit të Policisë, për të ndaluar motomjetin me të cilin lëviznin, me targë të vjedhur dhe me numër shasie të ndryshuar, bëjmë me dije se nga kontrollet e kryera në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, dje, në lagjen “3 Heronjtë”, është gjetur një pako me lëndë të dyshuar plasëse, e cila dyshohet se është hedhur aty, nga këta shtetas, më datë 26.03.2025. Pakoja u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njoftoi sot policia.
Dy të rinjtë u arrestuan më 26 mars, pasi gjatë patrullimit policia ka konstatuar në lagjen “Ndoc Mazi” motomjetin ku udhëtonin Mikelian Toma dhe David Simoni që lëvizte me shpejtësi dhe i kanë bërë shenjë ndalimi.
Por, 32-vjeçari Mikelian Toma, i cili drejtonte motomjetin dhe 34-vjeçari David Simoni, pasagjer, nuk iu bindën urdhrit, duke u larguar.
Policia i është vënë në ndjekje dhe e kanë ndaluar motomjetin, duke vendosur në pranga dy të rinjtë.
Nga verifikimet e kryera, dyshohet se targa e motomjetit me të cilin ata lëviznin ishte vjedhur në Tiranë dhe motomjetit i ishte ndryshuar numri i shasisë.
Ditën e arrestimit të dy të rinjve, policia ka kryer kontrolle edhe në automjetet e Mikelian Toma dhe David Simoni, ku janë gjetur një bidon me lëndë djegëse, një silenciator dhe një sasi kokaine.
Ndërkohë, 3 ditë pas arrestimit të tyre, më 29 mars, policia raportoi se 32-vjeçari Mikelian Toma kishte në përdorim një banesë tjetër në fshatin Dajç, pronari i së cilës shtetasi me iniciale G.V., është rezident në Itali.
Nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 2 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i kishte siguruar dhe i mbante Mikelian Toma.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.