Ka ndodhur

Gjendet në Mamurras trupi i pajetë i të riut Klevis Lleshi, i zhdukur dy vite më parë

Gazeta Si - I shpallur dy vite e gjysmë më parë i zhdukur, policia e Kurbinit ka gjetur trupin e pajetë të 24-vjeçarit nga Mati, Klevis Lleshi.

Burime paraprake bëjnë me dije se trupi është gjetur i groposur para dy ditësh nga banorët e zonës, ndërsa vetëm sot kanë dalë përgjigjet e ADN-së, të cilat kanë vërtetuar që trupi i përket pikërisht 24-vjeçarit.

Ai është zbuluar si rezultat i erozionit të tokës dhe banorë të zonës kanë njoftuar policinë, e cila më pas ka konfirmuar analizat e testit.

Prokuroria e Matit kishte nisur hetimet pas denoncimit të familjarëve në qershor të vitit 2020, se Klevis Lleshi dyshohej të ishte marrë peng para 2 vite e gjysmë në afërsi të Pallatit të Sportit në Burrel.

Hetimet u shtrinë në kohë dhe në disa qytete, por nuk pati asnjë rezultat në gjetjen e vendndodhjes së tij apo të autorëve të dyshuar, derisa trupi i pajetë u zbulua në fshatin Shpërdhet Mamurrasit.

Autoritetet kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, edhe pse një nga pistat është gjakmarrja.

Saga e vrasjeve në familjen Lleshi, ka nisur dhjetë vite më parë. I ati i Klevisit, Xhavit Lleshi u vra në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013, ndërsa pak vite më pas, i është vrarë xhaxhai, Hajredin Lleshi, pranë shtëpisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë