Një 21-vjeçar është gjetur i vdekur pranë shkollës së mesme “Kryqi i nderuar” në Gjirokastër. Sipas informacioneve paraprake, 21-vjeçari S. Sh., është gjetur në ambientet e banjove të konviktit të shkollës private.
Të parët që e kanë gjetur të riun e pajetë kanë qenë shokët e tij që kur e kanë parë pa shenja jete, kanë lajmëruar menjëherë autoritetet e shkollës private që gjendet pranë katedrales ortodokse “Lindja e Krishtit”.
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia për të hetuar rrethanat e vdekjes së të riut.
Nga hulumtimet e para bëhet e ditur se pranë trupit të të riut janë gjetur preparate ilaçe çka dyshohet se mund t’i ketë konsumuar tej normës.
Në njoftimin paraprak, policia sqaron se rreth orës 09:55, në tualetet e konviktit të një shkolle private, në lagjen “11 Janari”, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi S. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës.
“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që 21-vjeçari merrte për shkak të depresionit”, shkruan policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.