Ka ndodhur

Gjendet i vdekur biznesmeni shqiptar në Greqi, dyshohet se u mbyt me litar nga borxhliu

Gazeta Si- Biznesmeni i ndërtimit nga Shqipëria, Xhani Topalli, i cili ishte zhdukur prej 10 ditësh në Rodos të Greqisë, është vrarë.

Autori, një 53-vjeçar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka pranuar krimin e rëndë dhe u ka treguar autoriteteve greke se ku e kishte lënë trupin e 46-vjeçarit.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, 53-vjeçari e ka mbytur shqiptarin me litar. Në pranga ka përfunduar edhe djali i autorit të krimit, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar për fshehjen e trupit.

Topalli, baba i tre fëmijëve të mitur, ishte shpallur i zhdukur që prej 28 gushtit. Autoritetet u vunë në kërkim të tij dhe u zbulua se ai kishte lënë një takim me 53-vjeçarin.

Ky i fundit i kishte borxhe biznesmenit shqiptar. Autoritetet mundën që t’i zbulonin të gjitha falë edhe dëshmisë së autorit.

Mësohet se ndaj shqiptarit kishin borxhe disa biznesmenë të ndryshëm, ndër ta edhe 53-vjeçari, pronar i një hoteli në Kallithea.

Të dielën ai kishte lënë takim me hotelierin me të cilin kishin rënë dakord në prezencë të një avokati për pagesën e 30 mijë euro borxhe nga një projekt tjetër.

53-vjeçari, në dëshminë e parë ka thënë se takimi mes tyre ishte anuluar. Megjithatë, pas hetimeve dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë u zbulua e kundërta.

Autori i dyshuar supozohej që të dëshmonte të shtunën, por nuk u paraqit me justifikimin se ishte sëmurë një i afërm. Por nga policia u zbulua se nuk ishte shtruar në spital dhe për këtë arsye 53-vjeçari u mor për të sqaruar ngjarjen.

Në një video të transmetuar nga Mega Tv, është regjistruar rruga e 46-vjeçarit drejt pikës së takimit.

Makina e tij është parë duke kaluar në Faliraki. Ky është dhe vendi i fundit ku janë regjistruar gjurmët e tij para se të zhdukej.

Ky është rasti i dytë që brenda pak ditësh një biznesmen shqiptar humb vritet jashtë vendit. Të dielën u gjet i vdekur me armë zjarri 43-vjeçari Fatmir Ara në Itali, i cili dyshohet të jetë ekzekutuar nga grupet kriminale për prishje të pazareve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë