Ne rrjet

Gjeloshaj jep dorëheqjen si kryetar i komunës së Tuzit, do jetë zv/kryeministër i qeverisë se re në Mal të Zi

Nik Gjeloshaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të komunës së Tuzit.

Me betimin e qeverisë së re, ai do të jetë zëvendëskryeministër i Malit të Zi dhe Ministër i Ekonomisë.

Shqiptarët në total do të kenë 3 ministri në qeverinë e re.

Fatmir Gjeka, do të jetë ministër i Pakicave dhe Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike.

“Çdo sfidë ka një fillim dhe një fund, por shërbimi ndaj atyre që të votëbesojnë është një maratonë e cila vijon me më shumë përgjegjësi. Sfida që mua mu besua nga bashkëqytetarët 55 muaj më parë për t’u shërbyer si kryetar komune, ishte një përgjegjësi e privilegj që i pranova me kënaqësi dhe punova çdo ditë me gjithë energjinë dhe vizionin tim për ta justifikuar besimin e dhënë. Arrita të bëj aq sa munda edhe pse shumë më shumë do të doja, por mundësitë jo në çdo rast vareshin nga ne.
Jam krenar për sa shumë mundëm të bëjmë sëbashku me skuadrën e jashtëzakonshme e Komunës së Tuzit!

Unë sigurisht që nuk jam i mjaftuar me punën e bërë në Tuz, sepse e di që ka edhe shumë punë përpara dhe pikërisht për këtë arsye, unë kam vendosur të marr përgjegjësinë që na ngarkuan qytetarët për tu bashkuar në qeveri dhe për të bërë shumë më shumë punë për Tuzin dhe për të gjitha komunat shqiptare dhe shtetin e Malit të Zi.
Ky ishte një vendim i vështirë për mua, sepse emocionalisht Tuzi dhe skuadra e komunës tonë janë shumë të shtrenjta për mua, por, ishte momenti për të parë përtej vetes dhe për të marrë përgjegjësi që tu shërbejmë të gjithë shqiptarëve!
Jam i vetëdijshëm për sfidat që na presin, sepse siç thashë, kjo është një maratonë për të punuar dhe zhvilluar Malësinë dhe shqiptaret! Rrugëtimi do të jetë sfidues, por përpjekja ime do të jetë maksimale për t’i qëndruar fjalës së dhënë!

Dhe këtë do ta bëj me mish e me shpirt siç e kam bërë në Komunën e Tuzit. Punën që kemi nisur do ta vijojmë tanimë me praninë në qeverinë e re!”-shkruan Nik Gjeloshaj në rrjetet sociale.

Qeveria e re në Malin e Zi

Pas disa muajsh negociatash që nga zgjedhjet e 11 Qershorit, Mali i Zi do të ketë qeverinë e re të drejtuar nga Miljoko Spajiç.

Në bazë të marrëveshjes zyrtare të nënshkruar nga partitë e koalicionit të ri qeveritar, bie në sy bashkëqeverisja mes shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve ndërsa jashtë saj janë lënë boshnjakët.

Serbët po ashtu do të kenë në fund të vitit 2024 një post zv/kryeministri si dhe katër poste ministrash në qeverinë e Spajiç. Me votëbesimin në parlament qeveria e Spajiç do të zëvendësojë qeverinë, ndër më jetë gjatat në detyrë, të drejtuar nga Dritan Abazoviç.

Mali i Zi miraton sot  kryesinë e re të Kuvendit dhe Qeverisë së 44-të. Në krye të Kuvendit do të jetë lideri i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç dhe në postin e  kryeministrit së qeverisë Millojko Spajiç.

Në seancë pritet të zgjidhen edhe nënkryetarët e Kuvendit njeri nga Lëvizja Evropa Tani, partia më e madhe politike në parlament, dhe nënkryetari i dytë do t’u takoje demokratëve.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit duhet të caktojë seancën e re në të cilën do të zgjidhet Qeveria e 44-të.

Mandatari Millojko Spajiç ka dorëzuar të enjten në Kuvend propozim për përbërjen e Qeverisë së 44-të.

Përshpejtimi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe zgjidhja e zhbllokimit të gjyqësorit janë synimet kryesore të qeverisë së re të 44-të. Mandatari Spajiç në programin  e tij shpall një standard më të mirë jetese dhe zbatimin e programit “Europa 2”.

Ai propozoi edhe përbërjen e Qeverisë së 44-të, e cila do të ketë 5 zv.kryeministra mes të cilëve edhe  Nik Gjeljoshaj, i cili do të jetë zëvendëskryeministër për Politikë Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, dhe 17 ministra. Shqiptarët do të mbajnë dhe dy poste ministrore të tjera.

Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka njoftuar Kuvendin e Malit të Zi për dorëheqjen parevokueshme nga posti i deputetit.

“Jap dorëheqje nga posti i deputetit për arsye politike dhe etike”, njoftoi Nimanbegu.

Nimanbegu falënderoi kolegët e tij për bashkëpunimin e deritanishëm. Pranimi nga Aleanca Shqiptare e  Marrëveshjes për formimin e Qeverisë, ka sjelle vendimin e Genci Nimanbegu, i cili ishte kundër saj. Për këtë arsye ai vendosi të lërë dhe mandatin e deputetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë