Nga Gazeta ‘SI’ – Të kapësh duke gjëmuar me vrap gjelin në oborr, e ca më keq në një fushë të hapur është pothuajse e pa mundur për shkak të shpejtësisë së zig-zageve të këtij shpendi kaq kapardisës. Në fshat ia dinë hilet.
Hidhi kokrra gruri dhe mbaj hapur kotecin: lëre shpendin të patrazuar të shkojë vetë drejt pusisë kur e ndjellë ushqimi apo kakarisja e pulave.
Në politikë kjo është edhe më e thjeshtë. Kur janë zgjedhjet, oferta (kotecet politike) bëhet më e larmishme dhe fusha e veprimit ngushtohet, nga zgjatja e shumë duarve për të kapur sa më shumë vota edhe hapsira të vogla të mbetura bosh.
Demokrati Dash Sula nuk u garantua në listën e mbyllur për deputetë dhe kërceu në fushë të hapur. Pasi u ndie i përjashtuar nga “koteci” i PD-së, njërën këmb e afroi tek partia e Adriatik Lapajt, sytë dhe veshët nga PS por zemrën thotë se e ka ende tek PD.
Këto zig-zake kaq të shpejta për të garantuar një strehë politike që i garantonte statusin e deputetit, u nuhatën nga konkurrentët politikë.
Kryeministri socialist Edi Rama tha sot se “Ndërtoi Dash Sula gjithë atë parti në Peqin dhe ia prishën natën, u gdhi në mëngjes dhe ia kishin marrë partinë, ia morën natën partinë Dash Sulës”.
Nëse për hir të metaforës fjalën parti do të zëvendësonim me kotec, fjala e Edi Ramës do të tingëllonte kështu: “Ndërtoi Dash Sula gjithë atë kotec në Peqin, po ja prishën brenda natës”.
Mirëpo Edi Rama nuk ka hallin e Dashit të cilin e thërret “gjel deti” por të kokrrave të grurit, që janë votuesit e Peqinit.
Ai u u shpreh se “Gjithë ajo parti atje, nuk dihet se kush do t’i hajë ato kokrra gruri se gjeli detit mbeti pa parti. Gjel deti e kam kompliment se është në fushë të thatë, se të tjerët janë lluc. Mund të thuash çfarë të duash për atë, po ato që i ka, i ka”
Sipas socialistëve, pra Dashi ëshë një gjel elektoral, bollëk votash. Edhe pse Rama i kërkoi të lahet nga “morrat” e “kotecit” të PD para se të hyjë në atë të Tij, deputeti i PD-së mbetet i mirëpitur.
Berisha nga ana tjetër i kujtoi po sot Dash Sulës se si tek Rama si tek Lapaj është njësoj dhe se ai gaboi kur tentoi të kërkonte strehë tjetër politike.
“Dashnor Sula është eksponent i PD me investime reale në këtë parti, vendi i tij është në PD”, tha sot Berisha.
Të dy, edhe Rama dhe Berisha janë përbashkues në mendim se deputeti Dashnor Sula është gjel me kokrra gruri shumë.
Me turravrapin e tij në fushë të hapur Dashnor Sula ndolli urinë e konkurrentëve, sepse ata i duan për vete kokrrat e grurit.
Por ato nuk janë kokra gruri por njerëz që votojnë dhe ky është gabimi i madh i Dashnor Sulës.
Së pari, se u shfaq si gjel kryeneç në një fushë të hapur ku ka shumë kotece dhe brenda tyre shumë gjela më të fuqishëm se ai. Edhe nëse ngrihet më herët se të gjithë në mëngjes, nuk këndon dot më fort se të paktën Rama dhe Berisha .
Ai do të mbetet një kandidat, një gjel bujtës edhe tek ish koteci i tij, me pak fjalë një produkt gastronomik për t’u kosumar në festën më të afërt.
Së dyti, bëri një gabim edhe më të rëndë duke ofenduar votuesit e Peqinit. Dashnor Sula krijoi rreth vetes një novelë humoristike në të cilën përfshiu padrejtësisht edhe votuesit e Peqinit.
Ai i zhveshi nga dinjiteti dhe ndërgjegjia qytetare për sa kohë i shikon si vota të sigurta, që do të shkojnë pas tij me kapërcime ylberi sa majtas dhe djathtas, kudo që do të jetë ai.
Rama i quajti kokrra gruri votat mbështetëse për Dashin sepse ai u soll si gjel.
Berisha e qortoi, e ndëshkoi dhe prapë po e qorton. Të dy po ndjellin por jo për fatin e tij por të kokrrave të grurit (votat) që ai ka.
Kjo novelë që sapo ka nisur të lexohet, siç tipikisht janë novelat, dihet që e ka kulimin afër fundit.
Ky fund do të vijë kur të votojnë qytetarët e Peqinit, paçka se do jetë apo jo në listë Dashi që sipas Ramës është gjeli që ka mbetur në tokën e tharë dhe i infektuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.