Politike

Debatet në grup/ Gjekmarkaj heq dorë nga funksionet në PD: ‘Po shuhemi’. Edhe besnikët kërkojnë dorëheqjen e Bashës

Partia Demokratike është përfshirë nga debate të forta një ditë pas humbjes së zgjedhjeve dhe pas deklaratave të Lulzim Bashës se ai nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje. Në një mbledhje të grupit parlamentar thirrur në mbrëmje, Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike, duke mbajtur vetëm pozitën e deputetit.

GJekmarkaj është shprehur gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Grupin e PD-së se ai do të  heqë dorë nga posti i nënkryetarit të PD-së dhe nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

“Do të mbetem deputet i thjeshte”, - ka thënë Gjekmarkaj,

“Jap dorëheqjen nga funksionet politike brenda PD-së, dorëhiqem nga funksionet që mbaj.

Të bëj një hap pas SB dhe LB.

Ne po rrezikojmë të shuhemi, unë e ndiej dhe marr përgjegjësi.

Kam ndier mërzitjen e njerëzve para fytyrës sime, ua kam borxh atyre marrjen e përgjegjësive.

Duhet të ngrihet një komision që të dërgojë PD në zgjedhje për të mirën e demokratëve. Të bëhet garë, gara nxjerr lider. Rroftë PD”, komentoi me pas Gjekmarkaj pas dorëheqjes

Në mbledhjen e grupit parlamentar ai ka kërkuar të ngrihet një komision që ta çojë PD-në drejt zgjedhjeve të brendshme.

Ndërkohë, Ferdinand Xhaferraj i ka kërkuar Bashës të largoeht si kryetar. "Jam më i vjetri dhe me eksperiencë, s'kam ambicie, por përgjegjësi për PD-në. Berisha nuk është zgjidhje dhe e ka mbyll me PD-në,  por ti na ke fyer kur thua s'kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar".

Basha është kundërpërgjigjur me të njëjtën frazë, "nuk kam humbur asnjë garë, i kanë vjedhur" dhe duke thënë se 6 marsi ishte kurth. Dialogu ka vazhduar dhe me Dashnor Sulën.

"Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje?

Ke përgjegjësi ti dhe ne.  Nuk na beson më asnjë kështu", -përfundon Sula.

PD ka dalë forcë e tretë në këto zgjedhje, e kryesuar nga PS dhe “Shtëpia e Lirisë”. Me humbjen edhe të Shkodrës, Partia Demokratike nuk ka më asnjë nga 61 bashkitë e vendit.

Në mbledhje ka folur edhe Lefter Gështenja.

“Duhet të bëni një hap pas ju i pari pastaj me radhë të gjithë në mënyrë që të bashkohen demokratët në bazë. Nuk mund të vazhdohet me kështu duhet reflektim i thellë nga të gjithë  nga ju i pari,  duhet të sakrifikojmë të gjithë që të shpëtojmë PD-në. Nëse na dhimbset vërtetë PD-ja duhet ta bëjmë sot se nesër do jetë vonë. Ju duhet të bëni një hap pas që të bashkohen demokratët. Sot demokratet janë të ndarë. Drejtuesit e partisë nuk dalin në terren janë larguar nga strukturat e Partisë Demokratike dhe shkojmë vetëm për fushata, nuk mund të vazhdohet kështu“, është shprehur Gështenja.

Kritik është shfaqur edhe Xhelal Mziu i cili ka kërkuar dorëheqjen e Bashës.

Kasem Mahmutaj një tjetër deputet ka kërkuar një garë të hapur. “Të gjejme kush e bashkon nëpërmjet zgjedhjeve! Ne mund të flasim gjithë natën por këtij debati zgjidhje i jep vota!”

Elda Hoti në anën tjetër është shprehur se po vihet ne diskutim dinjiteti. “Dua të të tregoj realitetin, të kam thënë gëzoj respekt për ty dhe do të mbështes por tani po vihet në diskutim dinjiteti. Nuk të pranojnë!”

Selaudin Jakupllari ka kërkuar që të punohet për bashkim. “Duhet të reflektosh. Berisha e ka mbyllur me PD por duhet të bashkojmë bazën!”

Eralda Taso Bane një tjetër deputete është shprehur se strukturat treguan se ishin jofunksionale. “Ne ju kemi mbështetur në gjithcka kryetar, por është momenti që duhet të sakrifikosh”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë