Futboll

“Gjëja më e bukur është që jetoj!”… Buzëqeshja e Duamenës dhe basti fatal me jetën

Gazeta Si – Shumë herë iu bë e qartë se kishte probleme kardiake (aritmi) dhe nuk mund të luante futboll, por ai vendosi të vinte një bast të rrezikshëm, duke u mbështetur te… Zoti. Rafael Duamena nuk i dëgjoi këshillat e mjekëve specialistë, duke hapur një sfidë që mesditën e së shtunës rezultoi fatale.

Klubi i Brajtonit në Angli nuk pranoi të nënshkruante me lojtarin ganez, pasi testet mjekësore evidentuan problemin në zemër. Në Spanjë po ashtu Rafael Duamenës iu vu një defibrilator që të luante. Më pas ai nuk pranoi të luante me pajisjen jetëshpëtuese, për të mbërritur në Shqipëri në janar të këtij viti.

LEXO EDHE:
- Federata sqaron ngjarjen ‘Duamena’: Ambulanca me defibrilator, u zbatua rregullorja e garës
- Lajmi i trishtë për Rafael Duamenën pasqyrohet në gjithë mediet botërore
- Vdekja e paralajmëruar e Duamenës, pse u lejua futbollisti të luante në Shqipëri?
- Vdekja e Duamenës, FSHF pezullon ndeshjet e të gjitha kampionateve
- Tragjike në Rrogozhinë! Ndërron jetë sulmuesi Rafael Duamena pasi ra pa ndjenja në fushë

Vlen të theksohet fakti se për sulmuesin në të njëjtën kohë me Egnatian u interesuan edhe klube të tjera, si Partizani dhe Teuta, që u stepën pikërisht nga gjendja shëndetësore e Duamenës. Klubi rrogozhinas mori përsipër riskun dhe firmosi me lojtarin.

Tek Egnatia mund të justifikohen me raportin mjekësor, që lejonte aktivizimin e lojtarit, por gjithsesi ishte një risk i marrë përsipër dhe tashmë ndodhi ajo që ndodhi. Një bast i dytë i rrezikshëm ky, pas atij të vetë lojtarit.

Në çdo rast, fatal për ngjarjen tragjike është vendimi i vetë Rafael Duamenës për të luajtur, kur në shumë raste iu bë e qartë se kjo gjë ishte rrezik i madh për jetën e tij.

“Dhurata më e bukur për ditëlindje është që po jetoj. Kjo është gjëja më e rëndësishme, shumë njerëz nuk janë mes nesh sot, janë ndarë nga jeta. Gjëja e bukur që Zoti më ka dhënë është jeta. Të shënosh është ndjenjë pozitive, por jam gjallë. Kjo është super”, - deklaronte sulmuesi më 13 shtator, pas një tregolëshi ndaj Erzenit.

Vërtet gjëja më e bukur është jeta. Dhe pa futbollin Rafael Duamena do të vazhdonte të jetonte…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë