Sekreti i lumturisë? Të gjesh një të shëmtuar, por që të pëlqen shumë. Nuk kujtoj se në cilin film e kam dëgjuar këtë batutë, por që më bëri menjëherë të buzëqesh, sepse është ajo çka mendoj edhe unë. Burrat e shëmtuar janë më të mirë se të gjithë të tjerët, e kam zbuluar herët. Në festat e gjimnazit, kur e gjithë popullata femërore sulej tek më të bukurit e shkollës, unë e hidhja vëmendjen tjetërkund. Ca pasdite të dielash që nuk mbaronin kurrë, në shtëpinë e kujt i kishte prindërit jashtë për fundjavë, shumë Cure dhe Joy Division me të gjithë volumin ( jam vajzë e viteve ’80), shokët më të pashëm të rrethuar nga një grumbull adhuruesesh të pashpresa, shoqja ime Carla që qan në banjë, sepse ai i bukuri i klasës 5C i kish dhënë një puthje një herë dhe, më pas nuk e përfilli më. Unë, krejt në të kundërt, jo.Ishte gjithmonë dikush që të tjerave nuk u dukej interesant, ai që ishte pakëz i shmangur, jashtë rrezes së dritës së bukurisë absolute. Me siguri nuk i kishte shpatullat aq të gjera, sytë më pak të kaltër, tiparet më pak të rregullta, por mbase merrte vesh nga librat dhe muzika, kishte duar të bukura e me gjasë puthte si zot. Ja tek kush synoja. Prej asaj kohe, zor se kam gabuar.
Burri jo i bukur ka diçka më shumë. Duke qenë se nuk posedon, mes armëve, bukurinë kanonike, i duhet të shpikë. Një i bukur mendon se nuk i duhet të bëjë asgjë, qëndron aty, i ngufatur, i sigurt se është i dëshiruar. Kush është estetikisht jo aq fatlum, i duhet të zhvillojë në maksimum çdo lloj tërheqjeje tjetër të mundshme: inteligjencë, oratori, galanteri, krijimtari, bujari, elegancë. Është një ligj i kompensimit. Fakti që e kam zbuluar, më ka bërë, gjatë viteve, një grua të lumtur. Kam pasur gjithnjë shumë të dashur e të fejuar. Ndërsa të tjerat ishin pa gjë, ose vuanin, unë bëja qejf duke koleksionuar histori të panumërta, dashuri të mëdha, aventura sublime shtrati. Ndonjë të bukur edhe e kam gjetur, që të kuptohemi. Flas në përgjithësi për kauzën. Por Adonisët në të cilët jam penguar aksidentalisht nuk kanë bërë tjetër gjë veçse – me kohë e me përvojë – më kanë pohuar se janë të shëmtuarit ata që kanë mijëra virtyte të paçmueshme dhe të fshehta.
Tani duhet të kuptohemi mbi idenë e “të shëmtuarit”. A është Vincent Cassel i shëmtuar? Po Javier Bardem? Benicio del Toro? Jo, sepse njëherë kam lexuar një artikull që titullohej “Të shëmtuarit që pëlqehen” dhe këta të tre ishin pjesë e listës. Me mikeshat kam diskutuar gjithnjë. Unë them “i shëmtuar” ato thonë “ dështak”, që është tjetër gjë dhe më duket krejt e dukshme. Gérard Depardieu është i shëmtuar, me hundën e shtrembër, mbipeshë, por nuk është dështak. Cassel akoma më pak (Cassel është një bukurosh i hatashëm, nuk ka llafe, pyesni Bellucci-in). Më mirë të thuhet jo tradicionalisht të bukur? Apo të shëmtuar në një mënyrë tjetër? Është një botë me kufij të paqëndrueshëm dhe subjektivë: të themi, në sintezë të skajshme, se “i shëmtuari” nuk ka tiparet dalluese të bukurisë kanonike, shpesh ka defekte, edhe të dukshme. Kur ka qenë çunak madje edhe i ka vuajtur, pastaj ka kuptuar sesi dilet prej komplekseve dhe, për ato që ia dinë kësaj pune, është bërë pre për të mos u ikur nga duart. “Pse një vajzë kaq e bukur sa ti rri me një të shëmtuar?”, tetoja ime Giovanna njihet si një grua që nuk i vë fre gjuhës, dhe përballë të fejuarit tim prej vitesh, Oliviero-s, nuk mundi të përmbahej. Fakti është se po, unë jam e bukur. Dhe kjo i bën edhe më të mistershme zgjedhjet e mia, te shënjuara nga një estetikë kaq e dobët.
Oliviero ishte i shkurtër, i dobët si gozhdë, nuk merrej me sport, mbante syze optike. Po si ta dinte ajo torollakja tetoja ime, e martuar me një burrë shumë të bukur, pa shije, dhe mes të tjerash, që ia kishte vënë brirët disa herë?! Olivieron unë e adhuroja. E kuptoja se donte të bënte dashuri kur hiqte syzet, një gjest që për mua ishte paradhoma e ekstazës. Me atë ishte i dukshëm rregulli – fare pak herë i shpërfillur – që i shëmtuari, nën çarçafë, është bujar si rrallëkush, i palodhur, i rafinuar, i vëmendshëm. Oliviero ishte inteligjent, i kulturuar. Luante në kitarë bass në një grup rroku, gjithçka që di rreth muzikës dhe poezisë e kam mësuar prej tij. Ky, të dashura vajza, vlen më shumë se një breshkë e gdhendur! Dhe të jep një përparësi të madhe: pjesës më të madhe të shoqeve të mia as u interesonin ata që, për mua ishin një “must”, gjë që shuante çdo lloj konkurrence të mundshme. Do të dalësh mbrëmjeve me një bandë grash dhe të mos kesh konkurrencë, sepse ty zakonisht të pëlqen dikush që asnjëra nuk e ka vënë re? Të rrish me një burrë që të bën të ndiesh perëndeshë, nuk ka sy për të tjera veçse për ty dhe punon papushuar vetëm për një gjë, lumturinë tënde? Natyrisht që vlen, si gjithmonë një mendjemprehtësi: kini kujdes nga trapat. Shëmtaraku maskara dhe nevrastenik, që e ka inatin me të gjithë botën mbarë dhe do të ta nxjerrë ty inatin e çdo frustrimi të tij të lashtë, ai duhet shmangur ashtu si pleshtat.
Kini kujdes edhe nga ata, të cilëve pashmëria e munguar u ka gërryer një pasiguri kronike: disa të shëmtuar bëhen joshës serialë nga nevoja e pohimeve të vazhdueshme, janë të mirë për një flirt, sepse janë miklues të jashtëzakonshëm dhe shpenzohen deri në hov, por në largësi mund të të ruajnë surpriza të këqija dhe të rezultojnë të dëmshëm. Pas Olivieros erdhën të tjerë, të gjithë që pohonin teorinë time, që nuk është gjë tjetër veçse konkretizimi i një thënieje të lashtë romake: “është i bukur, por nuk vallëzon”. Ose: “i bukur, por fresk”. Si për të thënë se burri i bukur është i shpëlarë. Nuk do të të bëjë kurrë të ndihesh si mbretëreshë, sepse mbreti është ai. Nuk do të dijë kurrë, në të vërtetë, të shijojë jetën, e gjithë vëmendja e përqendrimi që sillet rreth qendrës së universit: vetes së tij. Pastaj mbërriti im shoq, shembulli i përsosur i teorisë së epërsisë së të shëmtuarit. Një joshës i patrazuar. Nëse i them se është shëmtarak, ai qesh. E di, thotë, e bukur je ti dhe del e tepron. Im shoq quhet Lorenzo, ka barkun më seksi në botë, buzëqeshjen më çarmatosëse, flokët më të pagjasa, stilin më elegant, hundën më pak ortodokse që mund të imagjinohet. Të gjitha bashkë. Të njohur në një darkë, dhjetë vjet më parë dhe e klasifikova menjëherë si absolutisht interesant: burrë jo i bukur, inteligjencë e epërme, i qetë dhe i sigurt në vete.
Joshës ekspert – një që di si bëhet, me pak fjalë – por jo kompulsiv. Me shumë mundësi kishte pasur shumë gra në jetën e tij, por heshtur, pa shumë bujë, duke vepruar i patrazuar pikërisht aty ku e dinin të padëmshëm. Radari dërgonte sinjale të fuqishme të shkoja menjëherë për të vërtetuar nëse i kisha rënë në të. Gjatë gjithë mbrëmjes nuk m’i hodhi sytë ( po çmendesha), dy ditë më vonë më dërgoi një buqetë trëndafilash. Dhe kështu, për një muaj radhazi, mbërrinin lule çdo ditë, por pak mesazhe në celular. Vetëm një dalje, për një aperitiv. Ai tani thotë se në atë periudhë duhet të punonte shumë dhe kishte frikën e tmerrshme të refuzimit tim. E di se më kishte hetuar mirë e mirë. Një i bukur nuk do të humbte kurrë gjithë atë kohë duke m’u vërdallosur ndërsa largohej ( të të vish rrotull dhe të joshësh, janë fjalët e duhura) dhe unë nuk do të isha dashuruar. Fundjavën e parë së bashku nuk dolëm nga dhoma e hotelit, as për të ngrënë. Teoria se të shëmtuarit janë mjeshtër të Tantrës ishte bërë përfundimisht aksiomë e pangatërrueshme. O zot çfarë gjeta! Ndërsa po prisja në këmbë, në një autogrill, teksa ktheheshim, i telefonova një shoqeje. Nuk mbahesha më nga emocionet. “Po kush?”, thotë ajo, “ai lloj Max Gazze-je që harxhoi një lumë parash tek luleshitësi?” Hiç, më njeh prej një jete dhe ende nuk ka kuptuar asgjë nga unë dhe as sesi funksionon bota. Më mirë, mendova me vete, kështu Gazze-ja është i gjithi i imi.
U martuam pas një viti. Për të më propozuar, më dërgoi një filiz nga qyteti ynë, Roma, mbi të cilën kishte shënuar të gjithë vendet ku ishim puthur në dymbëdhjetë muaj dashuri. E futa në kornizë, është harta e një dëshire që shënon akoma drejtimin e duhur. Bëmë dy fëmijë. Sipas meje i ngjajnë pak edhe tim shoqi. Po, por janë përmirësuar prej teje, bën shaka ai. Sekreti është gjithnjë, tek përzierja. Si për ty, i dashur, i them unë: rezultati është i ndryshëm nga shumatorja e pjesëve të veçanta ( hundë plus gojë plus sy). Kjo është arsyeja që në sytë e mi dukesh shumë i bukur.
*Dëshmi e mbledhur nga Elettra Aldani/ Elle.it
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.