Nga Gazeta ‘SI’- Në tremujorin korrik-shtator 2022, konsumi total i energjisë elektrike në vend është ulur me pothuajse 10%, duke arritur vlerën 1.514 GWh nga 1.679 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2021.
Ndikimin në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 16.8%, ndërsa konsumi nga konsumatorët familjarë nuk ka pasur ndikim në këtë rënie pasi sasia e konsumuar në tremujorin e tretë të të dy viteve ka qenë 696 GWh.
Instat raporton se prodhimi i energjisë elektrike në vend u ul me vetëm 0.1%, me një total 1.371 gigavat të prodhuar. Hidrocentralet publike u rikthyen në pozicionin e tyre si prodhues kryesor energjie, me rreth 75% të kapacitetit, 23.7% privatet dhe 1.5% nga fotovoltaikët, të cilët përsëri kanë pësuar rritje të lehtë.

Importi i energjisë për këtë periudhë u rrit me 17%, nga 975 GWh në 1.142 GWh, një vit më parë. Ndërkohë edhe eksporti u dyfishua po ashtu, nga 323 GWh një vit më parë, në 670 GWh. Gjithsesi Instat raporton se energjia në dispozicion është ulur me 9% për tremujorin e tretë të vitit.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët po në të njëjtën periudhë është ulur me pothuajse 10%,
Humbjet në rrjet arritën vlerën 328 GWh nga 343 GWh duke shënuar kështu një rënie me 4.5%.
Gjithashtu, humbjet në shpërndarje kanë rënë me 6%, duke arritur vlerën 281 GWh. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje të lehtë me 0.9 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 19.6 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




