Para

Gjatë tremujorit të tretë 2021 Banka injektoi më shumë likuiditet se sa gjatë pandemisë

Për tremujorin e tretë 2021, Banka e Shqipërisë ka injektuar në tregu e parasë mesatarisht 42.14 mld lekë me maturim 1-13 javor. Për dy tremujorët paraardhës, kjo sasi ka qenë më e vogël, rreth 34.06 mld lekë.

Likuditeti i injektuar nga BSH-ja për tremujorin e tretë të vitit 2021 është më i lartë se ai i injektuar në të njëjtën periudhë të 2020-s,40 mld lekë,  ndonëse atëherë tregu kishte më shumë nevojë për para.

Sipas Bankës, kërkesa nga bankat tregtare ka qenë e paqëndrueshme, duke nisur nga 34 mld lekë në korrik deri në 44.7 mld lekë në fund të gushtit dhe shtatorit kur nevoja u rrit maksimalisht.

Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor për mesatarisht 26.7 mld lekë ose 63.4% kundrejt 55.3% në 3-mujorin e mëparshëm.

Banka e Shqipërisë, që nga e njëjta periudhë e 2020-s, ka ndryshuar formën e ankandit nga “ankand me shumë të fiksuar” në “ankand me çmim uniform”, ku bankat mund të marrin hua shuma të pakufizuara me normë interesi të njëjtë me normën bazë. Vendimi ka synuar uljen e pasigurisë në sistemin bankar për gjendjen e likuiditetit në çdo bankë. Kjo formë ankandi ka vijuar edhe gjatë këtij tremujori.

Gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2021, portofoli i Bankës së Shqipërisë është rritur me vetëm 50 mln lekë. Për shkak të pjesëmarrjes së ulët të bankave, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar më shumë ankande se sa ishte parashikuar fillimisht. Në 9 ankande të zhvilluara, bankat e nivelit të dytë kanë ofruar në total 2.35 mld lekë bono thesari dhe janë blerë 2.05. Vlera e portofolit është 67.07 mld lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë