Shendet

Gjatë 2021-shit u rritën vizitat dhe shtrimet në spitale, kapaciteti 3.3 shtretër për 1000 banorë

Nga Gazeta 'SI'- Gjatë vitit 2021, shqiptarët janë vizituar dhe kontrolluar për shëndetin e tyre më shumë se në vitin 2020, kur ishte kulmi i pandemisë. Sipas Instat, vizitat në shërbimin parësor spitalor u rritën me pothuajse 11% nga një vit më parë.

Gjatë vitit 2021 në qendrat spitalore kanë rezultuar të shtruar 244.784 pacientë, duke u rritur me rreth 21% krahasuar me vitin 2020.

Rritje kanë pësuar edhe ndërhyrjet kirurgjikale të pacientëve, 22.1% më shumë në 2021-shin, 56.622 në total. Gjithsesi këto shifra nuk i kalojnë ato të 2019-s.

Instat ka treguar dhe shifrat e mbulimit vaksinal për të gjithë vitin 2021 dhe kjo ka rezultuar me ulje. Rënie më e theksuar e mbulesës vaksinale vihet re ndaj Difterisë, Tetanozit dhe Pertusit me 2.7 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

Rritje të lehtë kanë pësuar dhe konsultat e vizitat të grave dhe fëmijëve.

Shfrytëzimi i shtratit për kujdes shëndetësor gjatë vitit 2021 është 146.8 ditë, sa 40.2% e ditëve të fundit.

Në vitin 2021, numri i spitaleve publik dhe jopublik në vend është 59, nga të cilët 43 janë spitale publike dhe 16 spitale private. Mbulimi i shërbimit spitalor publik dhe jopublik është 2 spitale për 100 mijë banorë dhe numri i shtretërve spitalorë publik dhe jopublik është 9.363 ose 3,3 shtretër për 1.000 banorë.

Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se në vitin 2021, kanë operuar 413 qendra shëndetësore të degëzuara në 2.059 ambulanca dhe 46 poliklinika të specializuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë