Kombetarja

Gjasula dhe Abrashi mungojnë ndaj San Marinos, Cikalleshi në dyshim

Pas fitores me Hungarinë, kuqezinjtë kanë nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës me San Marinon, që luhet të mërkurën. Ata kanë zhvilluar një seancë stërvitore në Durrës, ku titullarët e ndeshjes së fundit nuk morën ngarkesë fizike si pjesa tjetër.

Lojtarët që u dëmtuan ndaj Hungarisë kanë bërë testet përkatëse dhe presin përgjigjen nga stafi mjekësor për të mësuar, nëse mund të luajnë apo jo ndaj San Marinos. Cikalleshi nuk luajti të dielën për shkak të dëmtimit në gju. Sulmuesi kavajas ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe është në dyshim për të mërkurën.

Dëmtime më të lehta kanë pësuar Lorenc Trashi, Nedim Bajrami dhe Bekim Balaj, por pa vënë në rrezik ndeshjen e radhës. Abrashi është mungesë e sigurt, sepse pësoi një tërheqje muskulore dhe i duhet kohë që të rikuperohet. Tjetër mungesë e sigurt është ajo e Klaus Gjasulës për shkak kartonësh, ndërkohë që rikthehen Hysaj, Manaj dhe Bare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë