Gazeta Si – Titulli kampion, ndoshta për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, nuk do të përcaktohet nga pikët e grumbulluara në kampionat, por nga i ashtuquajturi ‘Final 4’. Janë dy gjysmëfinale dhe një finale, një format gati i ngjashëm me Kupën, që do të vendosin.

Dy skuadrat e para në përfundim të kampionatit të rregullt (36 javë) kanë favorin se në finale shkojnë edhe me barazim. Si është situata për momentin? Tri skuadra duken të sigurta në ‘Final 4’, Egnatia kryesuese, Vllaznia 3 pikë pas saj e më pas Partizani 6 pikë nga kreu. Me 6 ndeshje të mbetura, gara duket mes Vllaznisë dhe Partizanit për vendin e dytë, që siç e thamë, është më komod për gjysmëfinalet.
Tri skuadra për vendin e 4-t
Duke zbritur më poshtë, kemi një garë 3-she për vendin e 4-t, i fundit që të çon në ‘Final 4’. Aktualisht e mban këtë vend Dinamo, me 2 pikë avantazh ndaj Skënderbeut dhe 3 ndaj Tiranës. Gjithçka varet nga kombinimet e ndeshjeve javë pas jave, por kuptohet që Dinamo ka një avantazh të lehtë, përderisa është përpara në renditje.
Skënderbeu, nëse shkon në ‘Final 4’, do t’i shërbente për prestigjin, sepse në Europë nuk luan për shkak të dënimit 10-vjeçar nga UEFA.

Tirana duket se ka më pak shanse për të qenë mes 4 më të mirëve, për vetë faktin se paraqitja e saj në fushë lë për të dëshiruar dhe për më tepër duket se po shkon më keq. Ndoshta mund ta shpëtojë sezonin me Kupën, por edhe aty e ka situatën të komplikuar, sepse gjysmëfinalen e parë me Kukësin e ka humbur 2-0.
Mbijetesa, një rebus
Kukësin e vendit të fundit e mban në lojë vetëm matematika, pasi është ekipi më i rrezikuar për të rënë direkt në Kategorinë e Parë. Garën për mbijetesë e kanë bërë më të paparashikuar rezultatet e fundit, konkretisht fitorja e Laçit në Durrës dhe ajo e Erzenit ndaj Egnatias.

Erzeni, Teuta dhe Laçi luajnë për të shmangur minimalisht vendin e parafundit, që të rrëzon direkt, për të shpresuar më pas te ndeshja shtesa me një kundërshtar nga Kategoria e Parë, për të qëndruar në elitë. Për momentin, Kukësi dhe Erzeni janë të rënë, ndërsa Teuta shkon në ‘play-out’, por llogaritë mund të ndryshojnë nga java në javë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




