Kosova

Gjashtë emisarë të SHBA dhe BE ‘mësyjnë’ në Kosovë e Serbi, në fokus plani franko-gjerman

Gazeta Si – Pas uljes së tensioneve dhe heqjes së barrikadave në Kosovë, në lojë kanë hyrë emisarët e SHBA-ve dhe të BE-së. Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe dhënies fund të përplasjeve.

Këtë të enjte, Prishtinën e vizitoi i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Ai pati takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në këtë takim u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të dënojnë tendencat destabilizuese të Serbisë e të mos i barazojnë palët, kur dihet kush është agresori.

Nga takimi i sotem Osmani Peach. Gazeta Si, 5 janar 2023

“Teksa e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në vend Lordin Peach, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”, – thuhet në njoftimin e presidencës.

Por Sir Stuart Peach nuk është i vetmi emisar që do të vizitojë Prishtinën apo dhe Beogradin. Mësohet se gjatë janarit pritet që në Kosovë të vijnë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, këshilltari i presidentit të Francës Emanuel Makron dhe ai i kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Datat e vizitave të tyre ende nuk janë konfirmuar. Por kësaj mësymjeje diplomatike i shtohet fakti se SHBA-të do të dërgojnë në javën e dytë të janarit ne Ballkanin Perëndimor këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Vizita që u konfirmua nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç, do të realizohet më 11 ose 12 janar. Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli i infektuar nga Covid. Gjatë një konference për mediat në Beograd, Vuçiç tha se pas zyrtarit amerikan, Serbinë do ta vizitojnë edhe negociatorët europianë.

“Pas kësaj, unë pres arritjen e të gjithë këtyre ekspertëve nga Europa”, – tha presidenti serb. Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të Bashkimit Europian. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse ky dokument nuk është bërë publik, por u është prezantuar të dyja palëve, ai parashikon krijimin e Asocacioneve të komunave serbe në Kosovë, që kontestohet nga Prishtina zyrtare. Ndërsa mbetet enigma, nëse do ta detyrojnë Beogradin që të njohë Kosovën dhe të mos bëhet pengesë që shteti më i ri i Ballkanit të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtare.

Prej kohësh BE po negocion mes palëve për arritjen e një marrëveshjeje, por Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të dialogut. Prishtina zyrtare dëshiron që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë saktësisht nënkupton ai kompromis, edhe pse Vuçiç zotohet se kushtetuta e vendit të tij e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë