Muzike

‘Get Back’ dalja e fundit live e ‘The Beatles’ / 50 vjet nga koncerti mbi tarracën e ‘Apple Corps’ në Londër

Fillimi i janarit  të vitit 1969, i gjeti “The Beatles”  të rraskapitur dhe të lodhur shpirtërisht  . John Lennon po luftonte me varësinë nga heroina, ndërkohë George Harrison, i zhgënjyer, ishte larguar përkohësisht nga grupi.  Paul McCartney ishte i vetmi që përpiqej ta mbante grupin të bashkuar duke punuar gjatë dhe i vetëm për materiale të reja. Ky fakt e lodhi atë aq shumë saqë situata shkoi deri në ndarjen përfundimtare të grupit.

Por pak pas kësaj periudhe, ndodhi ajo që nuk pritej. Ata si me magji e përmbysën fatin e keq që i përndiqte dhe në pak kohë arritën të riktheheshin me një performancë live prej 42 minutash në tarracën e godinës së “ Apple Corps” në Londër me datë 30 Janar 1969. Kjo ishte dhe performanca e fundit e tyre live në publik.  

Por si arritën “ The Beatles” nga një moment i vështirë  deri në atë moment shpëtimtar?

Koncerti ishte pjesë e projektit “Get Back”, një program televiziv dy-orësh që do të shfaqte “The Beatles” duke  performuar live.  Ideja kishte lindur në Shtator të vitit 1968. Në atë kohë, grupi kishte realizuar disa klipe promovuese për këngët “Hey Jude” dhe “Revolution” nën drejtimin e Michael Lindsay-Hogg.

“Teksa pinim nga një gotë whisky , ata nisën të kujtonin kohët kur performonin live para publikut dhe ndërkohë ia nisën të improvizonin këngët e tyre. Po kalonin mirë dhe kuptuan se ai moment po u sillte një kënaqësi të harruar thuajse. Kështu që menduan se mund të gjenin një mënyrë për të bërë diçka sërish në formën e një performance live.” kujton më vonë Lindsay-Hogg.

Në dhjetor, Paul i kërkoi inxhinierit dhe producentit Glyn Johns të mbikqyrte regjistrimet për programin televiziv. Johns sapo kishte përfunduar një projekt të ngjashëm për programin “Rock and Roll Circus” të Rolling Stones, i cili u transmetua atë muaj.  Megjithatë, producenti i përhershëm i “The Beatles”, George Martin, mbeti i përfshirë në projekt , duke marrë pjesë në ditën e parë të xhirimeve dhe pothuajse çdo ditë më pas. Ai siguroi pajisje regjistrimi dhe, kur gjithçka u zhvendos në ndërtesën e Apple, atij i duhej të krijonte një studio regjistrimi nga e para brenda më pak se një jave.

Dështimi i “The Beatles”  për të caktuar  role të qarta për secilin anëtar i vuri si Johns ashtu edhe Martin në pozita të sikletshme. Por të dy e vazhduan kontributin e tyre. “The Beatles”  po përpiqeshin të provonin para publikut por edhe vetes së  tyre se ishin ende një grup i shkëlqyer  rock ‘n’ roll-i . Në mes të tensioneve në rritje, më 10 janar, Harrison u largua nga grupi, duke u shprehur se : “Do t’shihemi përreth ”

Por ai ndryshoi mendje kur u takua me shokët e tij të grupit pasditen e 15 janarit.  Kitaristi kërkoi  që grupi ta zhvendoste punën e projektit “Get Back” nga Twickenham, një ambient i ftohtë dhe steril, në një  studio në bodrumin e ndërtesës së Apple Corps. Nga 21 janari deri në fund të atij muaji  fatkeq, “The Beatles”  nisën ngadalë të gjenin ritmin e tyre. Ditë pas dite, fokusi i tyre u përmirësua, deri sa ata arritën të përfundonin rregullimet e disa këngëve si “Don’t Let Me Down,” “Get Back,” “For You Blue,” “Two of Us,” “I’ve Got a Feeling,” “Dig A Pony,” “Let It Be” dhe “The Long and Winding Road,” dhe gjithashtu ringjallën një këngë që kishin braktisur fillimisht në vitin 1963, “One After 909.”

Por për Lindsay-Hogg, momenti i avancuar dhe pozitiv i grupit nuk e zgjidhte problemin e madh për xhirimet e  dokumentarit.

“Po çmendem!” tha ai më 29 janar, duke e shprehur me zë të lartë shqetësimin se si mund të përfundonte projekti “Get Back”.  Ai mendonte se projekti televiziv ishte i padenjë për tu shfaqur para publikut. Sipas tij kishte materiale të mira por nuk kishte një përfundim të qartë.

Por  inxhinieri i regjistrimit Alan Parsons shpresonte se dita e 30 Janarit pavërsisht të gjithave do të ishte një ditë magjike. Edhe pse grupi e mendoi disa herë anulimin e koncertit mbi tarracë.

Siç e kujton sërish më vonë Lindsay-Hogg, “E kishim planifikuar ta bënim rreth orës 12:30 për të kapur turmën e drekës por ata nuk po e gjenin  gjuhën e përbashkët te realizimit të koncertit deri  rreth orës 12:40, moment kur  John Lennon i shkundi ata duke u thënë :  “Dreqin, le ta bejmë këtë “

I papërpunuar dhe duke performuar para një audience kryesisht të padukshme, seti i fundit i “The Beatles”  u mbajt “gjallë” nga momente të thjeshta entuziazmi dhe gëzimi. Kur dëgjuan regjistrimin  menjëherë pas koncertit, “The Beatles” u shfaqen dukshëm të  ngazëllyer dhe në humor të mirë.  Producenti Martin, propozoi një tjetër projekt të ngjashëm i cili ndoshta do të shënjonte një rikthim të vërtetë të tyre.

Por në vend të kësaj, koncerti rezultoi të ishte i fundit i tyre live ndonjëherë. Megjithëse koncerti mbi tarracë  tregoi aftësinë e “The Beatles”  për të sjellë rend nga kaosi,  dhe pavarësisht se sa frymëzues ishte , projekti “ Get back” nuk shënjoi një fillim të ri. “ The Beatles” , u shpërbënë vitin pasardhës.

Burimi: Time. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë