Kosova

Gërvalla: Pranimi i marrëveshjes pa njohjen de jure të Kosovës – është kompromisi ynë i madh

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se pajtimi me marrëveshjen e Ohrit, e cila e siguron njohjen ‘de facto’ dhe jo “de jure” është kompromisi më i madh që ka bërë Kosova.

Por thekson ajo, nuk është parë ndonjë vlerësim i këtij kompromisi. Ministrja Gërvalla tha se institucionet e Kosovës kanë shprehur pakënaqësinë në rrugë interne rreth mënyrës se si i dërguari evropian Miroslav Lajçak udhëheqë bisedimet me Serbinë, por javë n e kaluar sipas saj, “është mbushur kupa”.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, Bashkimi Evropian i bëri thirrje të qartë dhe pa mëdyshje Kosovës që të fillojë punën për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa vonesa dhe pa parakushte. Cilat janë planet e qeverisë suaj?

Donika Gërvalla-Schwartz: Qeveria e Republikës së Kosovës, në fakt institucionet në përgjithësi, janë zotuar dhe kanë pranuar një propozim, fillimisht të quajtur franko-gjerman, i cili parasheh njohjen de facto të Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo marrëveshje për të cilën kemi rënë dakorduar, jemi pajtuar në Bruksel dhe më vonë edhe në Ohër, të dyja palët, edhe Serbia dhe Kosova, ky është udhërrëfyesi ynë drejt një marrëveshjeje për normalizim. Tani, nëse Kosova mbetet e vetmja palë e cila ngul këmbë në implementimin e kësaj marrëveshje, për të cilën në vazhdimësi, para se të jepnim miratimin tonë, të cilin e kemi dhënë me gjithë hezitimin që kemi pasur rreth përmbajtjes së asaj marrëveshjeje, atëherë mbetemi pala e vetme, e cila e mbron këtë marrëveshje, pyesim veten ku janë ata që na e propozuan dhe ku ndërroi strategjia në mes të rrugës?. Pse tani dalin kërkesa dhe plane të tjera dhe nuk merremi seriozisht me implementimin e kësaj marrëveshje, e cila u quajt pastaj nga disa komentues edhe si marrëveshje historike.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zonja Gërvalla në marrëveshjen e Ohrit, për të cilën qeveria juaj ra dakord, nuk parashikohet njohja e Kosovës nga Serbia. A është ky një ndryshim qëndrimi nga ana juaj?.

Donika Gërvalla-Schwartz: Po pikërisht fakti që ne si hap të ndërmjetëm pranuam, që fillimisht të shkojmë me një marrëveshje, e cila e bën njohjen de facto dhe jo de jure të Republikës së Kosovës, është kompromisi më i madh që kemi bërë. Mirëpo ndërkohë, nuk është që kemi parë ndonjë vlerësim të këtij kompromisi që kemi bërë, gjë që na përforcon në qëndrimin tonë që duhet të jemi tejet të kujdesshëm me premtimet që japim dhe me marrëveshjet, me përmbajtjen e tyre dhe me garancitë e ndryshme që jepen rreth këtyre marrëveshjeve.

Zëri i Amerikës: Zonja Ministre, pas dështimit të bisedimeve javën e kaluar, Bashkimi Evropian paralajmëroi thellim të masave ndëshkuese që do të vendosë ndaj Prishtinës. A jeni të shqetësuar ju nga një gjë e tillë?

Donika Gërvalla-Schwartz: Shikoni, nuk është java e kaluar apo hera e parë që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialog, Miroslav Lajçak, është treguar tërësisht i njëanshëm në një proces dialogu, në të cilin Bashkimi Evropian do të duhej të ishte i paanshëm për të siguruar që të dyja palët të shohin se përfaqësimi i tyre merret në konsideratë. Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë tonë në mënyrë interne rreth faktit se si Miroslav Lajçak e udhëheqë këtë dialog. Javën e kaluar është mbushur kupa. Pra, ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë. Janë prezantuar sikur të BE-së dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë. Prandaj, për ne është bërë e pamundur që ta vazhdojmë këtë proces, në këtë formë. Ne i kemi bërë thirrje Bashkimit Evropian disa herë në kanalet tona të brendshme që të kihet më shumë kujdes në mënyrë që ky dialog të ketë një shans për të pasur sukses. Deri tani, nuk po e shohim kujdesin e nevojshëm.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, kur thatë se tashmë është mbushur kupa, çfarë nënkuptoni, që zoti Lajçak nuk mund të jetë më një ndërmjetës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë? Pra, nuk ka një palë të tretë, një palë ndërmjetëse, ka vetëm dy pale në tryezë? Dhe si e shikoni tani të ardhmen e bisedimeve pas gjuhës së ashpër dhe kritikave që ka përdorur kryeministri i Kosovës ndaj zotit Lajçak?

Donika Gërvalla-Schwartz: Kryeministri i Kosovës nuk ka përdorur gjuhë të ashpër; ai ka treguar realitetin e zhvillimeve në dialog. Ne mendojmë që ky proces i dialogut në Bruksel, i cili nuk ka asnjë strategji ose që ka strategji vetëm nga takimi në takim, dhe në takimin e ardhshëm ndryshojmë përsëri, është i destinuar të dështojë. Dy vitet e fundit kanë dëshmuar që ajo çfarë Miroslav Lajçak ka dëshiruar të realizojë, ose të paktën ka deklaruar që dëshiron të realizojë në kuadër të procesit të dialogut, ka dështuar. Ne kemi nevojë për një proces, i cili është më i drejtë ndaj të dyja palëve. Nuk jam unë ajo që kam nevojë t’i japë mësime Bashkimit Evropian se çfarë duhet të bëjë. Por, ne kemi kërkesën tonë që procesi të jetë i drejtë ndaj të dyja palëve, gjë që nuk e kemi parë deri tani.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ka pasur reagime si nga Brukseli ashtu edhe nga Uashingtoni lidhur me pozicionin që mban në bisedime zoti Lajçak. Si i konsideroni qëndrimet e tyre?

Donika Gërvalla- Schwartz: Qëndrimet nuk mund ta shtrembërojnë realitetin, i cili është dështimi i një procesi të dialogut pa strategji, pa plan, të njëanshëm dhe pa asnjë shans për të realizuar marrëveshjen për të cilën jemi marrë vesh si në Bruksel ashtu edhe në Ohër. Ne bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë të na përkrahin në përpjekjet tona për ta implementuar sa më shpejt që të ketë mundësi. Fjalët, kur kemi pranuar marrëveshjen, kanë qenë për korrikun e këtij viti. Korriku ka muaj që ka kaluar. Nuk kemi kohë për të humbur. I ftojmë të gjithë të na ndihmojnë që ta implemetojmë sa më shpejt marrëveshjen për të cilën na është thënë që është një marrëveshje e cila shkon në favor të Kosovës, një marrëveshje e cila duhet lidhur dhe duhet implementuar sa më parë. Fakti që Serbia ka ndërruar mendje rreth pranimit të kësaj marrëveshjeje nuk duhet të çojë në hezitimin e partnerëve tanë për të kërkuar edhe më me ngulm implementimin e saj.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, qeveria juaj ka hedhur disa hapa për shtensionimin e situatës në veri, siç është ulja e pranisë së njësive të posaçme të policisë, ka shprehur gadishmëri për mbajtjen e zgjedhjeve, por Bashkimi Evropian i ka cilësuar ato të pamjaftueshme. Çfarë pritet më tej nga ju dhe a jeni të gatshëm për një gjë të tillë?

Donika Gërvalla-Schwartz: Po edhe kjo është pjesë e problemeve që kemi me Lajçakun, sepse nëse merret zotimi nga ana jonë për realizimin e disa kërkesave dhe thuhet se ajo janë të mjaftueshme për shtensionim të situatës edhe pastaj përgjatë rrugës ndryshon mendje, atëherë ne nuk dimë se cila është strategjia e Bashkimit Evropian. Në fakt, ne deri tani nuk kemi marrë asnjëherë kërkesa të qarta, të sakta, se çfarë nënkupton shtensionimi i situatës në veri të vendit tonë. Po të shkoni sot në komunat veriore do të shihni që situata është e qetë, nuk është aspak e tensionuar, njerëzit janë larguar nga rruga, institucionet vazhdojnë punën e tyre dhe ne në ndërkohë kemi hapur rrugën për zgjedhje të reja. Tani i mbetet Serbisë, i mbetet përfaqësuesve të serbëve në Kosovë, i mbetet Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë që të realizojnë atë që është kërkuar, pra të realizojnë peticionin me 20 për qind të nënshkrimeve me qëllim që zgjedhjet në atë katër komuna të mund të mbahen. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë bërë gjithçka që ka qenë e nevojshme. Nga këndvështrimi ynë, ne jo vetëm që i kemi përmbushur, por i kemi stërpërmbushur kërkesat që na janë dhënë. Nëse jo, atëherë nuk kemi më nevojë për deklarata të përgjithshme se duhet shtensionimi, por kemi nevojë për pika të sakta se çfarë nënkupton shtensionimi, sepse nga kanale të ndryshme na vinë ide dhe vizione të ndryshme dhe kjo vetëm sa na komplikon situatën.

Zëri i Amerikës: Po i kthehem edhe një herë pyetjes time lidhur me zotin Lajçak. A do të ulej Prishtina, a do të ulej Kryeministri në bisedime me Serbinë nëse ndërmjetës do të ishte zoti Lajçak? A po kërkoni largimin e tij nga bisedimet me Serbinë?

Donika Gërvalla-Schwartz: Ne asnjëherë nuk kemi vënë ultimatume askujt dhe aq më pak partnerëve dhe aleatëve tanë. Ne kërkojmë një strategji në dialog, e cila premton sukses, sepse vajtja në Bruksel për të mos realizuar asgjë, nuk është hap i duhur. Institucionet e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e vitit 2021 janë zotuar që do të ofrojnë një klimë tjetër për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, do të luftojmë korrupsionin, do të përpiqemi të zhvillojmë ekonominë. Këto janë synimet tona kryesore. Natyrisht që do të ishte ideale sikur të mund të normalizonim edhe marrëdhëniet me Serbinë, sepse ne nuk jemi naivë të mos të shohim situatën gjithnjë e më të tensionuar gjeopolitike në Evropë. Mirëpo, normalizimi nënkupton që të dyja palët të jenë të interesuara për normalizim. Dhe këtë interes për normalizim nuk e shohim aspak te Serbia. Përkundrazi, shohim interesimin që të shfrytëzohet tema e Kosovës për të mbajtur pushtetin në Serbi dhe në anën tjetër tek ndërmjetësi i Bashkimit Evropian nuk e shohim vendosmërinë e duhur për të gjetur një zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

Zëri i Amerikës: Zonja Ministre, opozita e ka kritikuar ashpër qeverinë tuaj për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë. Si i përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Donika Gërvalla-Schwartz: Po opozita, në fakt, atë punë ka, që të kritikojë qeverinë, përndryshe nuk do të ishte opozitë. Megjithatë, është thënë në mënyrë shumë të përgjithësuar dhe këtë e shihni edhe në shifrat e përkrahjes që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë për strategjinë e institucioneve lidhur me bisedimet me Serbinë. Përkrahja është, varësisht se ku shikoni, mes 70 dhe 96 për qind. Prandaj, nuk mund të qeveriset kundër vullnetit të qytetarëve, edhe nuk mund të qeveriset me ide të kaluara, të cilat nuk premtojnë sukses. Unë ftoj opozitën edhe nga kjo studio, të jetë më konstruktive në gjetjen e mënyrave të përbashkëta për t’u përballur me sfidat që kemi me fqiun tonë dhe mendoj që një qasje e tillë konstruktive do t’i shërbente edhe opozitës për të luajtur rolin e saj./ VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë