Kosova

Gërvalla në Londër: Serbia ka nisur fushatë sistematike për destabilizimin e rajonit

Ministrja e Punëve te Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Londër të Britanisë së Madhe, organizuar nga sekretarja Liz Truss dhe ministri Wendy Morton.

Shefja e diplomacisë kosovare duke falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e vazhdueshme, ka theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave europiane, me theks të veçantë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Që kur mori detyrën qeveria e re, Policia e Kosovës ka iniciuar gjithsej 1.401 raste që ndërlidhen me krime serioze, duke përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne jemi tejet të përkushtuar ndaj vlerave europiane dhe jemi duke e riorganizuar vendin tonë sipas mënyrës europiane. Këtë vit kemi parë një rritje rekord prej 10%, si dhe rritje të deklarimeve tatimore e të të hyrave doganore. Si qeveri kemi një shkallë të jashtëzakonshme miratimi”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se përkundër progresit që është bërë që nga formimi i qeverise së re, Kosova është përballur me kërcënime nga Serbia.

Shefja e diplomacisë ka vënë në pah se Serbia para pak javësh ka dërguar automjete të blinduara, trupa dhe aeroplanë luftarakë në kufirin me Kosovën.

“Kur përmendim këto zhvillime optimiste, nuk mund të mbyllim sytë ndaj realitetit në lëmenj të tjerë. Fqinji ynë verior, Serbia, e ka kërcënuar vendin tonë me luftë para pak javësh, duke dërguar automjete të blinduara, trupa dhe bile edhe aeroplanë luftarakë në kufirin tonë, ndërsa ambasadori rus në Serbi iu bashkëngjit trupave dhe e mirëpriti këtë akt agresioni” tha kryediplomatja kosovare gjatë fjalimit të saj.

Megjithatë ajo ka thënë se Kosova nuk është e vetmja që po kërcënohet por që ka një përshkallëzim të retorikës nga Serbia, edhe ndaj disa vendeve tjera të rajonit.

Gërvalla e ka quajtur gënjeshtër të pastër edhe qëndrimin e ministrit serb Vulin, rreth masakrës së Reçakut.

“Kosova nuk është e vetmja që kërcënohet. Kemi të bëjmë me një përshkallëzim sistematik të retorikës, ku si shembuj të freskët mund të përmendim lëvdimin zyrtar që iu bë kriminelëve të luftës si Ratko Mladiq nga një aleat i afërt i Presidentit Vuçiq, Ministri Vulin, dhe gënjeshtrën e tij e pastër vetëm pak ditë më parë në lidhje me njërën prej masakrave më mizore në Kosovë, masakrën e Reçakut, e cila kishte nxitur një ndryshim të shpejtë në qëndrimin e Perëndimit karshi Kosovës. E gjithë kjo nuk po ndodh rastësisht. Udhëheqësia aktuale serbe po e rrit në mënyrë sistematike propagandën dhe gjuhën e urrejtjes në kuadër të programit të qeverisë për ta sulmuar Perëndimin dhe

NATO-n për ndërhyrjen humanitare dhe për ta barrikaduar Serbinë prapa një qasjeje agresive, përsëri, kundër fqinjëve të saj”, ka thënë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë