Kosova

Gërvalla: Aktorë brenda BE-së po punojnë për ndarjen e serbëve në Kosovë

Nga Gazeta 'Si'- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka konsideruar të padrejtë dhe të gabuar për integrimin e serbëve, vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për serbët që jetojnë në Kosovë.

Sipas Gërvallës, aktorë brenda Bashkimit Evropian po punojnë për ndarjen e komunitetit serb në Kosovë, pasi u pyet për vendimin e KE-së që qytetarëve në Kosovë me pasaporta serbe t’iu hiqen vizat.

“Për pasaportat që nuk lëshohen nga institucione legjitime ne s’kemi hezituar dhe t’i paralajmërojmë e informojmë akterët e rëndësishëm. Ata (BE) kanë marrë një vendim që jo vetëm sipas mendimit tonë, çon në rrugë të gabuar, por bën të kuptosh se disa akterë në BE s’janë të interesuar në integrimin e pakicës serbe në Kosovë, por punojnë në ndarjen e tyre. Integrimi sa më i shpejtë i qytetarëve në struktura legale të pajisur me dokumente legale, çon në atmosferë e në hapësirë për të gjithë ata e për të gjithë ne”, ka deklaruar ajo të mërkurën në një konferencë për media.

Ministrja e Jashtme ka shtuar se Kosova nuk duhet të heshtë “përpara këtyre hapave të gabueshëm dhe të mos përsëriten”.

Në fund, ajo ka kërkuar nga emigrantët që të kenë kujdes gjatë kalimit nëpër Serbi, pasi ky shtet po arreston qytetarë në mënyrë “arbitrare”.

“Ende nuk kemi bërë thirrje që qytetarët tanë të mos kalojnë në Serbi, kemi thënë që të kenë kujdes kur kalojnë. Është e vërtetë që jo vetëm tani në rastin e Faton Hajrizit, kalimi në Serbi është e mbushur me probleme, ka pasur arrestime arbitrare, natyrisht që pak mund të ndikojmë në institucionet e Serbisë, por thirrjet tona me aleatët tanë nuk ka munguar asnjëherë. Ne përpiqemi që të angazhojmë në çdo segment që arrestimet e qytetarëve në mënyrë arbitrare të merr fund. Është një betejë e gjatë në maratonë e gjatë por në fund Kosova do të jetë fitimtare”, përfundoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë