Gazeta Si - I konsideruar si një person me probleme në të shkuarën jo vetëm të shëndetit mendor, Gert Shehu nuk ka qenë i panjohur në skedarët e policisë.
Agresori i Sali Berishës, ka pasur precedent të mëparshëm penalë, pasi fillimisht është arrestuar me kanabis.
Ndërsa në vitin 2017, është gjobitur për rrahjen e një personi. Po ashtu është ndaluar nga policia edhe për prishje të qetësisë publike.
Nga burime paraprake, mësohet se Shehu ka goditur me grushte dhe sende të forta rojën e një palestre në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë para 5 vjetësh, duke shkaktuar dëmtime.
Ngjarja ka ndodhur në gusht 2017, kur Shehu ka shkuar në ambientet e palestrës, është konfliktuar me rojën, i cili i kishte krkuar të largohej pas një konflikti të çastit. Në këtë rast, i riu e ka qëlluar me grushte, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
Pas veprimeve hetimore, Prokuroria e Tiranës i kërkoi gjykatës që Shehu të shpallej fajtor për akuzën e plagosjes së lehtë me dashje dhe në fund u dënua me 200.000 lekë gjobë.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën “arrest me burg” për Gert Shehun për sulmin ndaj kryetarit të PD, Sali Berisha.
Dosja e 31-vjeçarit ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës dhe të premten (9 dhjetor) pritet që të zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj tij.
Aktualisht Shehu ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu komunikua masa e arrestit nga policia. Ai po mjekohet pas goditjeve që mori nga mbështetësit e Berishës, pasi ai kreun sulmin fizik ndaj ish-kryeministrit.
Nëse mjekët nuk japin leje të largohet nga spitali, atëherë masa e sigurisë do t’i komunikohet në ambientet e spitalit.
Gerti Shehu akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje. Deri më tani ai nuk ka pranuar të flasë për arsyet që shtynë drejt këtij veprimi.
Pritet që 31-vjeçari t’i nënshtrohet një ekspertize mjekësore për shkak se familjarët e tij pretendojnë se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga mjeku psikiatër Sadik Lala, i cili konfirmoi se Sheu është pacient i tij dhe se nuk merrt rregullisht ilaçet e rekomanduara.
Sakaq, analizat laboratorike të Institutit të Mjekësisë Ligjore për konsumim të mundshëm të lëndëve narkotike nga ana e autorit, nuk janë administruar akoma nga hetuesit.
Që prej mbrëmjes të së martës, janë dorëzuar mostrat e analizave në IML, por akoma nuk ka një përgjigje zyrtare nëse Shehu ishte ose jo nën ndikimin e narkotikëve ditën e incidentit.
Burime në rrogë jo zyrtare, bëjnë me dije se vijon këqyrja e kamerave të sigurisë të vendeve ku ka lëvizur në tre ditët e fundit 31-vjeçari, për të parë nëse ka qenë në shoqëri të personave të tjerë.
Nga këqyrjet paraprake, deri tani, rezulton se Shehu nuk ka pasur kontakte me njeri në hapësira publike dhe nuk ka asnjë person të dyshuar që mund ta ketë kontaktuar para incidentit.
Referuar disa videove në kanalin Youtube, Gerti Shehu shihet teksa reciton dhe thur vargje pa kuptim.
“Jam Montana nga Tepelena, të mbaj me mana kur s’ka banana”… “S'do përplasim aviona se do balancojnë shumë ozona…”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.