Drejtësia

‘Gërdeci’ / SPAK paraqet provat për Fatmir Mediun, kërkon dëshminë e sekretares së ish-ministrit Bumçi

Gazeta Si – SPAK ka depozituar në GJKKO provat për gjyqin në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit në vitin 2008, ku humbën jetën 26 persona në fabrikën ushtarake të demontimit të armëve të zjarrit. Mediu nuk ishte prezent në seancën e kësaj të marte, por u përfaqësua nga avokatët e tij mbrojtës.

Në këto prova, pjesë është dhe faksi i nisur nga zyra e ish-ministrit të Drejtësisë së aaj kohe, Aldo Bumçi, në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, për hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, shkresë e cila ka shënim emrin e Shkëlzen Berishës, ‘Për Shkëlzenin’, djali i kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

SPAK gjithashtu ka kërkuar që në pyetje të merret dhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi.

I thirrur në dhjetor 2023 në SPAK për këtë çështje në cilësinë e dëshmitarit, Shkëlzen Berisha ka mohuar të ketë lidhje apo dijeni me këtë faks, që mban emrin e tij.

SPAK dyshon e faksi i vitit 2007, ku ishte shënuar emri i Shkëlzen Berishës, besohet se ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.

Ministria e Drejtësisë, me ministër asokohe, Aldo Bumçin ka qenë një nga organet kompetente për të gjithë praktikën e ndërtimit të fabrikës së armëve.

Dëshmia mbështetet nga ish-sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila pranon se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë, e më pas Aldo Bumçi ka përcjellë porosinë për tek zyra privat e e Shkëlzenit në Ministrinë e Mbrojtjes. 

Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në seancën e radhës, mbrojtja do të ketë mundësinë të bëjë kundërshtimet e saj dhe do t’i jepet koha e nevojshme për përgatitje. Seanca e ardhshme do të zhvillohet më 14 janar, në orën 09:00.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”.

Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e cilësuar çështjen si të motivuar politikisht.

Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe shpërdorim detyre” në kuadër të zinxhirit komandues ushtarak në lidhje me çmontimin e municioneve në punishten e Gërdecit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë