Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në dosjen “Gërdeci”, ku nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të rmëve në mars 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Shkak u bë mungesa e gjyqtares Irena Gjoka, e cila kishte paraqitur një raport mjekësor. Një ditë më parë, gjyqtarja Irena Gjoka, u largua para se të niste seanca për dosjen “Metamorfoza” për arsye familjare.
Largimi i saj përkoi edhe me deklaratën e Sali Berishës, i cili pasi doli nga SPAK, publikoi edhe një dokument, sipas të cilit gjykata e Janinës në 2005-ën e kishte dënuar Gjokën me 3 muaj burg dhe 1.500 euro gjobë për falsifikim dokumentesh.
Sakaq, gjyqi ndaj Mediut ndodhet në fazën e kundërshtimeve që ish-ministri i Mbrojtjes po bën ndaj akt-ekspertizës tekniko-ushtarak të sjellë nga ekspertët.
Mediu ka cituar ligjin për buxhetin, që i konsideron fondet e donatorëve për demontim si pjesë e buxhetit të Ministrisë se Mbrojtjes.
Në seancën e 22 prillit, Mediu tha se trajtim i municioneve ishte kompetencë ekskluzive e Forcave të Armatosura (FA) dhe jo e Ministrit të Mbrojtjes.
Sipas tij, çdo vendim i qeverisë shoqërohej me një urdhër të ministrit dhe më pas me një urdhër ose udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.