Gazeta Si- Për shkak të mungesës së njërit prej ekspertëve për arsye shëndetësore, Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën për dosjen e Gërdecit, ku i pandehur është Fatmir Mediu, nën hetim për shpërdorim detyre.
Ish-ministri i Mbrojtjes nuk është paraqitur në seancë, ndërsa mungoi edhe avokati i tij mbrojtës, Ardian Visha. I pranishëm ishte vetëm avokati tjetër, Henrik Ligori. GJKKO vendosi që seanca e radhës do të mbahet më 31 korrik ora 09:00.
Prokurori Klodian Braho kërkoi që të vazhdojë seanca në mungesë të Mediut, kërkësë që u pranua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila vendosi që ish-ministri të mbrohet vetëm nga avokati Ligori.
Gjykata relatoi që në sekretarinë e gjykatës janë paraqitur pyetjet me shkrim për ekspertët.
Në total, 113 pyetje janë paraqitur nga mbrojtja e Mediut, të cilat do i drejtoheshin ekspertëve kontabël për dëmin e shkaktuar buxhetit të shtetit për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Ndërkohë në seancë nuk është paraqitur një nga ekspertët. Eksperti Ymer Stafa ka njoftuar gjykatën se mungon për arsye shëndetësore.
Me nismë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e Gërdecit, SPAK rihapi hetimet për çështjen dhe akuzon Fatmir Mediun për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në "fabrikën" e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në 2008.
Pak ditë më parë, Gjykata e Strasburgut, pranoi padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit për ngjarjen tragjike të ndodhur para 15 vitesh dhe që është marrë në dorë nga SPAK.
Sipas vendimit, që ishte në favor të familjeve të prekura, theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale dhe Gjykata kërkoi dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn, familjen e një prej 26 viktimave të tragjedisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.