Drejtësia

“Gërdeci”/ Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi dëshmitarë në gjyqin ndaj Mediut. Gjykata refuzon të huajt

Gazeta Si - Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi do të jenë në mesin e 71 dëshmitarëve në procesin e gjyqit të Fatmit Mediut, ish-ministrit të Mbrojtjes i marrë i pandehur për çështjen “Gërdeci”, ku humbën jetën 26 persona.

GJKKO ka pranuar këtë të mërkurë kërkesën e SPAK për pyetjen e të gjithë dëshmitarëve të kërkuar nga palët, ku do të jenë edhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministri i Drejtësisë.

Togat e zeza refuzuan dëshmitarët e huaj të kërkuar nga mbrojta. Po ashtu gjykata rezervoi të drejtën për t’u shprehur për 6 ekspertët që kanë bërë akt-ekspertimin për shpërthimin. Ndërkohë është rrëzuar kërkesa e avokatit të familjarëve të viktimave për të thirrur dëshmitarët në proces.

Seanca  e rradhës do të jetë në datën 18:00, ora 13:00. Është paracaktuar që seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu, do të jetë të enjten e çdo jave deri në përfundim të çështjes.

GJKKO refuzon dëshmitarët e huaj

Familjarët e viktimave të Gërdecit, kishin kërkuar avokatit të tyre, që në gjyqin për Fatmir Mediun të merret edhe dëshmia e 12 personave të tjerë, si ish-drejtuesit e kompanisë amerikane “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz.

Por GJKKO refuzoi pyetjen e dëshmitarëve të huaj dhe personaliteteve politikë të kërkuar nga mbrojtja. Edhe Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë Berisha kërkoi të pyeten 90 dëshmitarë, si ish-zëvendës Sekretari amerikan i Mbrojtjes në periudhën 2006-2009 Gordon England, apo dhe ish ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë.

Seanca e radhës, ku do të pyeten 15 dëshmitarët e parë, kryesisht familjarë të viktimave të Gërdecit, do te zhvillohet më 18 tetor.

Ardian Visha, avokati i ish-ministrit Mediu, në një deklaratë për mediat tha: “Për ne është një moment i veçantë i një subjektivizmi të pamerituar në dëmin tonë dhe të padenjë për gjyqësorin. Gjykata realizoi një gjë që ligji nuk ia lejon”.

Roli i Shkëlzen Berishës dhe Aldo Bumçit

Ministria e Drejtësisë, me ministër asokohe, Aldo Bumçin ka qenë një nga organet kompetente për të gjithë praktikën e ndërtimit të fabrikës së armëve.

Në një shkresë, e cila tanimë është bërë publike nga kjo ministri ka pasur edhe një shënim për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministri Sali Berisha.

Dëshmia mbështet nga ish- sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila pranon se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë e më pas Aldo ka përcjellë porosinë për tek zyra privat e e Shkëlzenit në Ministrinë e Mbrojtjes. 

Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Procesi ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme do të vijojë me procedurën e gjykimit të zakonshëm duke shfuqizuar vendimin e marrë me herët për gjykim të shkurtuar.

Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe shpërdorim detyre” në kuadër të zinxhirit komandues ushtarak në lidhje me çmontimin e municioneve në punishten e Gërdecit.

Tragjedia e Gërdecit

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve, humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” dhe fëmijë të zonës.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi qindra banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e cilësuar çështjen si të motivuar politikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë