Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu thotë se rihapja e dosjes “Gërdeci” është proces politike, pasi ai është gjykuar njëherë për këtë çështje. Ai u shpreh se nuk është shkaktar i pasojave.
Sipas Mediut në atë gjykim e vendim nuk ka pasur asnjë ndikim, asnjë shtysë, asnjë presion. Ai thotë se përsa kohë funksionoi fabrika famëkeqe e demontimit të armëve, shpërthimi i të ciliës në 15 mars të 2008-s shkaktoi 26 të vdekur dhe rreth 300 të tjerë të plagosur, nuk ka pasur asnjë ankesë te ministri. Sipas tij, SPAK ka rihapur një çështje që është vulosur dy herë në të shkuarën.
“Nuk i jam shmangur hetimit. Jam vendosur në dispozicion pa asnjë rezervë. Prokuroria e kohës bëri një hetim për mua dhe familjen time si për asnjë politikan tjetër. Ajo që kërkon SPAK janë çështje të shqyrtuara në vitin 2014 dhe 2018 dhe dy rastet prokuroritë kanë refuzuar rihapjen e kësaj çështjeje. Nuk mendoj se do të kthehemi në kohën e drejtësisë popullore dhe cdo procedurë që niset me indicie paligjshmërie nuk prodhon asnjëherë drejtësi. Kam qenë katër herë në Gjykatën e Lartë dhe në Apel ka marrë formën e prerë”, tha më tej ai.
Mediu akuzoi se çështja kundër tij po përdoret politikisht. “Kush është nga mbrapa apo përpara? Kjo histori ka para, mbrapa nën dhe mbi dhe interesa nga më të ndryshimet. Fakti që është shtruar vetëm në fushata elektorale tregon se ka interes politik, ka qëllime që nuk vijnë thjesht me ligjin” deklaroi ai.
Avokati i tij Saimir Visha, pasi sulmoi SPAK-un dhe gjyqtaren që vendosi të pranonte rihapjen e dosjes u shpreh se “Do të përpiqemi të presim këtë “penallti” të paligjshme të prokurorisë”. Gjykata e Posaçme vendosi që të rihapë çështjen “Gërdeci”, duke nisur rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin në mars të 2008 ku humbën jetën 26 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.