Drejtësia

‘Gërdeci’ / Kërkoi të largohet nga gjykimi i Mediut, GJKKO rrëzon Irena Gjokën

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e gjyqtares Irena Gjoka për t’u larguar nga gjykimi i dosjes “Gërdeci”, ku nga shpërthimi i municioneve humbën jetë 26 persona në vitin 2008.

Zëvendës kryetari i GJKKO, Erjon Bani, pasi shqyrtoi kërkesën e Gjokës, vendosi që ta rrëzonte me arsyetimin se nuk ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë.

Prokurori Klodian Braho relatoi një pjesë të provave shkresore që kërkoi të bëhen pjesë e shqyrtimit gjyqësor, ndërkohë seanca u shty në datë 9 dhjetor për të vijuar me këtë moment procedural.

Ndërsa më herët, GJKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e avokatëve të ish-ministrit Fatmir Mediu për përjashtimin e Gjokës nga procesi gjyqësor për Gërdecin.

Procesi gjyqësor i dosjes ‘Gërdeci” ndodhet në fazën ku kanë përfunduar paraqitja e provave të SPAK, dhe pritet të nisë pyetja e dëshmitarëve të kërkuar nga mbrojtja.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për “shpërdoim detyre” në bashkëpunim dhe “shpërdorim detyre në kuadrin komandues ushtarak”.

Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëvë në Gërdec më 15 mars 2008, shkaktoi 26 viktima dhe qindra të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë