Taksa

Rilindja, sa na i rriti taksat

Përpjekjet e sforcuara të qeverisë për të mohuar rritjen e taksave bien ndesh me shifrat faktike të buxhetit. Statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në katër vjet barra fiskale për ekonominë është rritur me 1 miliardë dollarë dhe gjysma e kësaj fature është rritje e drejtëpërdrejtë e taksave.

Vitin e kaluar biznesi dhe qytetarët paguan 430 miliardë lekë ose 4 miliardë dollarë taksa dhe tatime për qeverinë. Krahasuar me katër vjet më parë, shuma e taksave dhe tatimeve që qytetarët kanë paguar për buxhetin është rritur me 33 për qind ose rreth 1 miliardë dollarë.

Ndonëse gjysma e kësaj fature është rezultat i luftës ndaj informalitetit, rritjes natyrale ekonomike dhe asaj të çmimeve, plot 500 milionë dollarë janë rritje e drejtepërdrejtë taksash mbi qytetarët dhe biznesin. Por kush e ka mbajtur barrën e rritjes së taksave në këto katër vitet e fundit?

Taksat që u rritën

Në fund të vitit 2013, qeveria e sapoardhur në pushtet prezantoi paketën e saj të parë fiskale. Paketa përmbante katër ndryshime të rëndësishme. Ato ishin rritja e tatim fitimit nga 10 në 15 për qind, rritja e taksës së qarkullimit me 10 lekë për litër, rritja e akcizave për pijet dhe cigaren si dhe rikthimi i taksës progresive.

Në total, efektet e kësaj pakete ishin rritje e barrës fiskale me 200 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilës ju faturua qytetarëve përmes taksave të konsumit.

Por ky ishte vetëm raundi i parë i rëndimit të taksave. Një vit më pas, qeveria prezantoi një tjetër rritje masive taksash me efekt rreth 180 milionë dollarë. Sërish taksa me ndikimin më të madh ishte ajo e qarkullimit, që vendoset mbi karburantet, e cila u rrit me 10 lekë të tjera për litër duke arritur në 27 lekë për litër nga 1 janari i 2015-ës.

Paralelisht u rrit tatimi mbi të gjitha të ardhurat dytësore, si dividentat, të ardhurat nga interesi, qeratë, të ardhurat nga pronësia industriale etj. Taksa për këto të ardhura nga 10 për qind u bë 15 për qind, ndërkohë që edhe në vitin 2015 qeveria vazhdoi rritjen e akcizave mbi duhanin dhe alkolin.  

Vala e e vendorëve

Pas dy raundesh me rritje të fortë taksash, në vitin 2016 qeveria u tregua më e përmbajtur dhe miratoi një paketë fiskale më neutrale. Por qytetarët nuk do të shpëtonin. Rritja e taksave do të vazhdonte në një formë tjetër; përmes bashkive.

Në vitin 2016, Shqipëria u përball me një valë të fortë rritjesh të taksave vendore, ku vetëm nga Bashkia e Tiranës barra fiskale u rrit me 50 milionë dollarë.

Dyfishim i tarifës së pastrimit, taksë e re për tavolinat, rritje rreth 50% e taksës mbi ndërtesën, taksë e re për truallin, taksë e posaçme për arsimin si dhe trefishim i taksës së ndikimit në infrastrukturë ishin disa nga ndryshimet kryesore, që rënduan edhe më shumë qytetarët dhe biznesin.    

Ky model i rritjes së taksave vendore u zbatua edhe nga bashkitë e tjera të vendit ndonëse masa e rritjes ka qenë e ndryshme sipas bashkive.

Kush e mbajti barrën?

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike në relacionet shoqëruese të paketës fiskale, më total përgjatë viteve 2014-2015, qeveria e rriti barrën e taksave për qytetarët dhe biznesin me rreth 380 milionë dollarë. Përfshirë dhe barrën shtesë nga taksat vendore, fatura e rritjes së taksave përgjatë katër viteve të fundit është 500 milionë dollarë ose gati 4 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Pjesa dërrmuese e kësaj fature ra drejtëpërdrejtë mbi qytetarët përmes rritjes së taksave të konsumit dhe vetëm një pjesë e vogël u pagua nga të pasurit, pra bizneset e mëdha.

Më konkretisht, nga 500 milionë dollarë që u rritën taksat në periudhën 2014-2017, rreth 400 milionë dollarë në vit janë paguar nga qytetarët dhe vetëm 100 milionë dollarë janë paguar nga fitimi i bizneseve të mëdha për shkak të rritjes së tatimit mbi fitimin dhe rikthimit të TVSH-së për lëndët e para që përdoren në sektorin hidrokarbur.  

Rritja e ndjeshme e barrës fiskale për qytetarët pati efekte të drejtëpërdrejta mbi koston e jetesës. Në vitin 2015, Shqipëria u përball me rënie të konsumit për herë të parë nga 1997-a dhe shkaku kryesor, sipas analizave të vetë Ministrisë së Financave ishte pikërisht rritja e barrës fiskale.

Taksat e konsumit në Shqipëri mbeten ndër më të lartat, jo vetëm në rajon por edhe në Europë. Kjo e bën sistemin fiskal të Shqipërisë, një nga sistemet më armiqësore ndaj pjesës së varfër të popullsisë. Sipas Bankës Botërore, sistemi fiskal i Shqipërisë është kontributor në rritjen e varfërisë, pasi vetëm si pasojë e taksave, pjesa e popullsisë shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë rritet nga 22 për qind në 29 për qind. Sipas Bankës, kjo e bën Shqipërinë një nga vendet ku sistemi fiskal ka efektin më të madh në rritjen e varfërisë, në një kohë që në vendet e tjera ai përdoret zi zbutës i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë