Pas humbjes në Kupën e Shqipërisë me Luftëtarin, këtë fundjavë në kampionat, Partizani do të ketë një sfidë shumë të rëndësishme përpara. Kryesuesit e kampionatit do të luajnë përballë Teutës në shtëpi dhe në prag të kësaj ndeshje trajneri Gega ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp. Tekniku 51-vjeçar u shpreh se nuk është i shqetësuar nga rezultatet e dy ndeshjeve të fundit dhe nga ecuria e ekipeve rivale.
“Normalisht që kur humbet nxjerr mësime, në derbi kemi barazuar por dihet si janë ndeshjet e tilla. Në kupë ekipi nuk ishte vigjilent dhe u ndëshkuam, ishte një ndeshje dhe rezultat surprizë. E kemi dhe arsenalin dhe potencialin dhe anën profesionale që të nxjerrim mësime. Kemi një shans në Gjirokastër. Kështu që jemi fokusuar te ndeshja e radhës me Teutën. Ne shohim vetëm punën tonë, jemi si ajo makina që ecën përpara dhe shikon pasqyrën. Ne vlerësojmë veten tonë i dimë se sa janë mundësitë tona. Nuk kemi punë me ecurinë e të tjerëve.”

Në dy javë Partizani do të ndeshet me të dyja ekipet që e ndjekin në renditje, Teutën dhe Kukësin, por për Skënder Gegën rezultatet në këto dy përballje nuk do të jenë vendimtare për ecurinë e luftës për titullin kampion. Gega u shpreh se në të dyja këto ndeshje do të kërkojë maksimumin dhe ndërprerja e kampionatit për ndeshjet e kombëtares mund t’i ndihmojë që të përgatiten sa më mirë. “Janë dy sfida shumë të rëndësishme janë rivale direkt. Nuk vendoset sot, apo nesër apo as me Kukësin përqindjet sepse nuk ta lejon ana profesionale. Kemi 11 javë dhe duhet që të gabojnë sa më pak. Është rrugë e gjatë. Shpresoj që kundërshtarët të gabojnë dhe ata jo vetëm. Por janë krejt normale sepse asgjë nuk shkon gjithmonë 100%. Ne duhet që t’i korrigjojmë dhe eliminojmë gabimet. Jam i kënaqur që të marrim maksimumin. Ka një limit edhe maksimumi, por për mua dhe ekipin është që ndaj Teutës të jemi 100%. Pastaj ka ndërprerje dhe atëherë duhet që të mendojmë për Kukësin. Jemi këtu falë punës, nuk kemi asnjë dhuratë. Për fat kemi edhe lojtarin e 12-të që janë frymëmarrja e ekipit. Jemi optimistë dhe besojmë shumë.”
Sipas trajnerit të Partizanit, Skënder Gega muaji mars do të jetë i rëndësishëm për luftën në titullin kampion, por më i rëndësishëm do të jetë edhe maji që është edhe muaji i fundit. “Muaji mars më pëlqen dhe njerëzit kanë adrenalinë, por nuk besoj se është kulmi. Ne edhe në maj do të jemi në kulm. Do t’i kalojmë shkëlqyeshëm çdo muaj. Secili ekip ka gjunjët e vet dhe matësit e vet. Është e vërtetë që çdo ekip ka një periudhë të vështirë, por ne nuk e kemi.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




