Futboll

Gega rinovon me Partizanin edhe për sezonin e ardhshëm

Vendi i parë në tabelë në dy fazat e para të këtij kampionati dhe shpresat e rritura për të fituar titullin kampion pas më shumë se 25 vite, i kanë bindur drejtuesit e Partizanit për t’ia rinovuar kontratën Skënder Gegës. Trajneri që erdhi te “demat” verën e shkuar me një kontratë 6-mujorë, do të vijojë të jetë në krye të klubit kryeqytetas edhe për vazhdimin e këtij sezoni, por edhe për atë të ardhshëm.

I pari që ka qenë i bindur nga puna e Skënder Gegës, ka qenë drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama. Por edhe presidenti Gaz Demi nuk ka pasur dyshime për të vijuar bashkëpunimin me teknikun 51-vjecar. Në dy fazat e para me Gegën në stol, Partizani ka arritur të grumbullojë 37 pikë, 3 më shumë nga ndjekësi më i afërt, Kukësi.

Ky rinovim pikërisht në këtë moment, për Gegën është edhe si një votëbesimin për vazhdimin e punës së nisur që në maj do duhet të konkretizohet me titullin kampion. Edhe pse merkato nuk ka qenë në lartësinë e duhur gjatë këtij janari, sërish te Partizani janë të bindur që këtë sezon titulli kampion do të rikthehet në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë